Shqipëria Postuar më 21 September 2026, 17:48

Regjistrim fillestar i pronave në 15 bashki, shpallet tenderi me 5 lote, përcaktohen njësitë e përfshira 

Nga Scan TV

images.jpg

Së shpejti pritet të nisë regjistrimi fillestar i zonave kadastrale në 15 bashki të Shqipërisë. Agjencia e Prokurimit Publik ka shpallur tenderin me fond limit prej rreth 337.6 milionë lekësh, ose afërsisht 3.5 milionë euro, të ndarë në pesë lote kryesore.

Referuar dokumentit të publikuar, Loti 1 përfshin regjistrimin fillestar në bashkitë Vlorë dhe Selenicë, me fond limit prej rreth 892 mijë eurosh pa TVSH.

Loti 2 lidhet me regjistrimin e pasurive në bashkitë Gjirokastër, Përmet, Këlcyrë, Memaliaj dhe Tepelenë, me fond limit rreth 1.1 milionë euro pa TVSH.

Loti 3 përfshin regjistrimin kadastral në bashkitë Delvinë dhe Finiq, me fond limit prej rreth 492 mijë eurosh.

Loti 4 përfshin bashkitë Durrës, Lushnjë dhe Patos, me fond limit prej rreth 532 mijë eurosh pa TVSH.

Ndërsa Loti 5 përfshin bashkitë Përrenjas, Elbasan dhe Peqin, me fond limit prej më shumë se 644 mijë eurosh.

Fondi limit është përcaktuar veçmas për secilin lot, ndërsa kontratat me subjektet fituese do të kenë një kohëzgjatje prej 24 muajsh.

Subjektet fituese do të ofrojnë shërbime për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në funksion të këtij procesi. Shërbimet përfshijnë punime topografike, përgatitjen e hartave, mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave kadastrale të pasurive, digjitalizimin e informacionit mbi pronat, kontrollin e cilësisë së të dhënave, arkivimin e tyre, si dhe përpunimin e të dhënave gjeohapësinore.

Sipas kritereve të tenderit, operatorët ekonomikë duhet të paraqesin dëshmi për realizimin e shërbimeve të mëparshme të ngjashme gjatë tre viteve të fundit nga data e shpalljes së njoftimit të kontratës. Vlera e këtyre shërbimeve nuk duhet të jetë më e vogël se 39% e fondit limit të lotit përkatës.

Regjistrimi fillestar është një proces me rëndësi të veçantë për administrimin e pronës në Shqipëri, pasi synon të krijojë një pasqyrë të plotë dhe të formalizuar të pasurive të paluajtshme dhe të të drejtave mbi to. Një regjistrim i saktë dhe i përditësuar ndihmon në qartësimin e kufijve dhe statusit juridik të pronave, reduktimin e pasigurive dhe konflikteve mbi pronësinë, si dhe në përmirësimin e shërbimeve kadastrale.

Në një vend si Shqipëria,  ku çështjet e pronësisë dhe dokumentacioni kadastral kanë qenë prej vitesh një problem kompleks, përfundimi i regjistrimit fillestar në zona të ndryshme të territorit përbën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më të rregullt dhe më transparent të administrimit të pronës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat