Analiza Postuar më 21 September 2026, 12:28

Si ndryshon legalizimi? - Speciale / Hap pas hapi, kush përfiton dhe cilat tarifa hiqen

Nga SCAN TV

Shqipëria ka ndërmarrë një hap të ri që synon të mbyllë një prej kapitujve më të gjatë të saj dhe më të komplikuar, atë të legalizimeve. Për shumë vite me radhë ku procesi është mbështetur kryesisht te dosja individuale, aplikimi i qytetarit dhe shqyrtimi rast pas rasti, ndryshimet e fundit synojnë ta zhvendosin procesin drejt një modeli tjetër. Kadastra nuk do presë vetëm qytetarin, por do të shkojë vetë te prona, zonë pas zone dhe bllok pas blloku për të bërë legalizimin.

Tre vendime të miratuara më 16 shtator dhe të botuara në Fletoren Zyrtare më 18 shtator ndërhyjnë te objektet pa titull pronësie, trojet funksionale, oborret në përdorim, ndërtimet pa leje dhe tarifat e këtyre procedurave.

Deri tani, qytetari që kishte një objekt pa dokumentacion të plotë, aplikonte, hapej një procedurë administrative, bëheshin verifikimet dhe pritej vendimmarrja e Kadastrës.

Ky mekanizëm nuk do ndryshojë pasi qytetari mund të vazhdojë të aplikojë përmes e-Albania. Por përkrah tij krijohet dhe forcohet një rrugë e dytë, ku Kadastra vetë merr një rol më aktiv. 

ASHK mund ta nisë vetë procesin

Referuar vendimeve që tashmë kanë marrë fuqi ligjore drejtoritë vendore të Kadastrës përcaktojnë blloqet kadastrale që do të trajtohen dhe do të evidentojnë në terren pronat që hyjnë në këto procedura të reja legalizimi.

Në vend që një lagje me qindra probleme pronësie të trajtohet vetëm përmes qindra kërkesave të veçuara, Kadastra mund ta marrë zonën si një bllok pune, të dalë në terren, të evidentojë objektet, të identifikojë poseduesit dhe të hapë procedurat përkatëse.

Kjo nuk do të thotë se pronat legalizohen automatikisht. Çdo rast vazhdon të duhet të plotësojë kriteret ligjore. Por ndryshon mënyra se si prona futet në proces. Dhe pikërisht këtu mund të jetë ndryshimi më i madh.

Pra, nëse deri dje qytetari kërkonte që administrata të vinte te dosja e tij, tashmë administrate e kadastrës do shkojë te prona e qytetarit për t’i dhënë zgjidhje pajisjes së saj me certifikatën e legalizimit.

300 metra katrorë falas 

Një hap tjetër lidhet me tokën. Për objektet pa titull pronësie, ASHK mund të kalojë në pronësi truallin funksional deri në 300 metra katrorë, nëse provohet se sipërfaqja posedohet efektivisht nga subjekti. Dhe në këtë rast Vendimi e lidh posedimin efektiv edhe me situatën faktike në terren dhe rrethimin ekzistues.

Por këtu duhet bërë një dallim thelbësor. 300 metra katrorë nuk do të thotë 300 metra tokë falas për këdo.

Nëse trualli është pronë shtetërore, rezulton me pronar të pavërtetuar ose nuk ka informacion për pronësinë, dokumenti i pronësisë për sipërfaqen deri në 300 metra katrorë miratohet pa pagesë.

Nëse toka rezulton pronë private e një personi tjetër, situata ndryshon. Kalimi nuk bëhet falas. Përfituesi duhet të paguajë vlerën e truallit sipas çmimit favorizues dhe lehtësive që përcakton ligji për proceset kalimtare të pronësisë.

Pra, reforma përpiqet të zgjidhë informalitetin pa e barazuar pronën shtetërore ose tokën pa pronar të identifikuar me pronën private të një personi tjetër.

Madje, kur trualli funksional është pjesërisht shtetëror dhe pjesërisht privat, Kadastra mund të japë dokumentin për një sipërfaqe më të vogël se 300 metra katrorë, nëse kjo mund të bëhet fizikisht pa cenuar pronën private.

Një mekanizëm i ngjashëm vendoset për oborret në përdorim.

Deri në 300 metra katrorë, nëse oborri posedohet efektivisht dhe toka është shtetërore, me pronar të pavërtetuar ose pa informacion mbi pronësinë, kalimi mund të bëhet pa pagesë.

Nëse toka është e një pronari privat, zbatohet mekanizmi i pagesës sipas çmimit favorizues.

Kjo prek një kategori tjetër të problemeve historike të pronësisë në Shqipëri: shtëpi që ekzistojnë prej dekadash, por ku ndërtesa dhe toka përreth saj nuk kanë të njëjtën situatë juridike.

Hiqet tarifa 10 mijë lekë 

Ndryshimi tjetër prek drejtpërdrejt koston e procesit. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, poseduesi përjashtohet nga tarifa e shërbimit të legalizimit. Vendimi i ri e përcakton shprehimisht këtë përjashtim për banesat.

Lehtësimi shtrihet edhe te një kategori tjetër pronash. Kur procedura për objektet pa titull, truallin funksional apo oborrin në përdorim nis nga vetë ASHK-ja gjatë regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale ose verifikimit në terren, për objektet me funksion banimi nuk aplikohet tarifa standarde e shërbimit.

Kjo tarifë është 10 mijë lekë. Ajo vazhdon të ekzistojë kur procedura për dokumentin e pronësisë nis me kërkesën e vetë subjektit: qytetari aplikon në e-Albania dhe tarifa paguhet në momentin e paraqitjes së kërkesës. Madje vendimi përcakton se ajo është e pakthyeshme edhe nëse kërkesa rrëzohet nga ASHK. Pra kur qytetari kërkon vetë nisjen e procedurës për këtë kategori, tarifa mbetet; ndërsa kur ASHK e evidenton banesën dhe e nis procedurën kryesisht gjatë trajtimit të zonës, tarifa nuk aplikohet.

Çfarë ndodh me dosjet ekzistuese? 

Ndryshimet nuk prekin vetëm procedurat që do të nisin nga tani e tutje. Ato shtrihen edhe mbi një pjesë të stokut ekzistues të çështjeve të pronësisë që ende nuk kanë marrë zgjidhje përfundimtare.

Vendimi përcakton se kërkesat e administruara përpara hyrjes së tij në fuqi, por për të cilat trajtimi administrativ nuk ka përfunduar, do t'u nënshtrohen rregullave të reja. Pra, për procedurat që mbulon ky vendim, dosja nuk duhet të jetë domosdoshmërisht një aplikim i ri për të përfituar nga mekanizmi i ri.

Ky është një element me rëndësi, sepse një nga problemet historike të proceseve kalimtare të pronësisë nuk ka qenë vetëm numri i madh i objekteve me dokumentacion të paplotë, por edhe stoku i procedurave të nisura dhe të pambyllura administrativisht. Mekanizmi i ri krijon mundësinë që trajtimi i tyre të lidhet edhe me punën e Kadastrës zonë pas zone dhe bllok pas blloku.

Edhe rastet kur gjatë verifikimit në terren gjendet prona, por nuk identifikohet menjëherë poseduesi, marrin një procedurë të posaçme. ASHK publikon informacionin për 30 ditë pranë njësisë administrative, drejtorisë vendore të Kadastrës dhe në faqen e saj zyrtare. Nëse poseduesi paraqitet brenda këtij afati, procedura vijon në emrin e tij. Nëse paraqitet më vonë, ai ruan të drejtën të aplikojë nëpërmjet e-Albania.

Në praktikë, synimi është që mungesa e poseduesit në momentin e verifikimit të mos e bllokojë evidentimin e pronës dhe punën mbi të gjithë bllokun kadastral. Kjo është e rëndësishme për kalimin nga trajtimi individual i dosjeve drejt një procesi më sistematik të formalizimit.

Efekti potencial shkon përtej Kadastrës. Një banesë mund të ekzistojë dhe të përdoret prej dekadash, por një titull i paplotë ose i paqartë kufizon funksionimin e saj normal në treg. Formalizimi nuk krijon një pronë të re fizikisht, por mund ta kthejë një pasuri ekzistuese në një aset juridikisht më të përdorshëm.

Nëse mekanizmi arrin të mbyllë në shkallë të gjerë çështjet e mbetura pezull, më shumë prona mund të bëhen të tregtueshme, të ulet pasiguria juridike në transaksione dhe një pjesë më e madhe e pasurive të mund të përdoret potencialisht si kolateral për kreditim.

Në këtë kuptim, efekti ekonomik nuk qëndron vetëm te mbyllja e dosjeve të vjetra por edhe te futja në qarkullimin formal të pronave që ekzistojnë fizikisht, por që për shkak të problemeve dokumentare nuk kanë funksionuar plotësisht si asete në treg.

Shqipëria 21 September Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat kryesore

Dollari amerikan e ka nisur këtë javë negativisht duke humbur pikë gjatë fundjavës teksa është blerë sot me 79.2 lekë dhe është shitur me 80.1 lekë në raport......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat