Analiza Postuar më 21 September 2026, 02:55

Më shumë biznese përdorin IA/ Sa përqind e shqiptarëve punojnë para kompjuerit?

Nga Eldiona Serani

images - 2026-09-21T025450.814.jfif

Teknologjia po bëhet gjithnjë e më e pranishme në bizneset shqiptare, duke kaluar nga një mjet ndihmës në një pjesë të rëndësishme të mënyrës se si ndërmarrjet organizojnë punën, komunikojnë dhe shesin produktet e tyre.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2026, 99.5% e ndërmarrjeve kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune, nga 99.4% një vit më parë. Edhe përdorimi i teknologjisë nga vetë punonjësit ka shënuar rritje ku 38.3% e të punësuarve përdorin kompjuter me internet për qëllime pune, kundrejt 35.1% në vitin 2025.

Përparim është shënuar edhe në infrastrukturën digjitale. Në vitin 2026, 66.6% e ndërmarrjeve përdorin internet me shpejtësi shkarkimi mbi 100 Mbit/s, një rritje e ndjeshme nga 50.4% që ishte një vit më parë.

Ndërkohë, rrjetet sociale po konsolidohen si një kanal i rëndësishëm për bizneset. 88.1% e ndërmarrjeve i përdorin mediat sociale, me një rritje prej 1.6 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2025.

Rritja e përdorimit të teknologjisë po shoqërohet edhe me më shumë shitje në kanalet digjitale. Në vitin 2026, 31.3% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte ose shërbime online, përmes faqeve të internetit, aplikacioneve, platformave e-commerce apo kanaleve të tjera digjitale. Një vit më parë kjo shifër ishte 28.1%.

Edhe pesha e shitjeve online në xhiron e bizneseve është rritur. Në vitin 2026, 11.4% e xhiros është realizuar nga shitjet online, me një rritje prej 1.3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2025.

Transformimi digjital po prek edhe mënyrën se si organizohen vetë bizneset. 34.5% e ndërmarrjeve punësojnë specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, nga 31.8% në vitin 2025, ndërsa përdorimi i shërbimeve cloud është rritur në 35.3%, nga 33.9% një vit më parë.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është përdorimi i aplikacioneve për planifikimin e burimeve të ndërmarrjes, të njohura si ERP. Në vitin 2026, 36.9% e bizneseve përdorën një ose disa aplikacione të tilla, nga 31.1% në vitin 2025.

Por një nga ndryshimet më të dukshme lidhet me inteligjencën artificiale. Sipas INSTAT, në vitin 2026, 12.4% e ndërmarrjeve shqiptare përdorën sisteme të inteligjencës artificiale, nga vetëm 9% një vit më parë.Shifrat tregojnë kështu se teknologjia po zgjerohet në disa drejtime njëkohësisht. Nga lidhja me internetin dhe rrjetet sociale, te shitjet online, shërbimet cloud, sistemet ERP dhe tashmë edhe inteligjenca artificiale. Bizneset shqiptare po shtojnë përdorimin e mjeteve digjitale jo vetëm për të komunikuar me klientët, por edhe për të organizuar dhe zhvilluar aktivitetin e tyre.

Shqipëria 21 September Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat kryesore

Dollari amerikan e ka nisur këtë javë negativisht duke humbur pikë gjatë fundjavës teksa është blerë sot me 79.2 lekë dhe është shitur me 80.1 lekë në raport......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat