Analiza Postuar më 21 September 2026, 11:52

Fatura e karburanteve rritet/ Italia kaloi në vendin e parë në tetëmujor me rreth 9.5 mld lekë importe

Nga Xhorxhina Deda

Hands-Holding-Fuel-Nozzle-iStock_000055894694_Small.jpg

Importet e lëndëve djegëse po i kushtojnë Shqipërisë gjithnjë e më shumë, ndërsa paralelisht po ndryshon edhe harta e vendeve nga ku sigurohen furnizimet. Në Janar-Gusht 2026, vendi importoi rreth 841 mijë tonë të grupit “Lëndë djegëse minerale, vajra minerale dhe produkte të distilimit të tyre”, me një faturë prej 65.6 miliardë lekësh.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sasia u rrit me 8.1%, ndërsa vlera me 13.1%, çka tregon se fatura është zgjeruar më shpejt se volumi fizik i importeve.

Gushti e theksoi edhe më shumë këtë diferencë. Shqipëria importoi rreth 130.6 mijë tonë, 18.8% më shumë se një vit më parë, ndërsa vlera u rrit me 24.3%, në afro 12 miliardë lekë. Krahasuar me korrikun, sasia ra rreth 7%, por fatura u rrit me 17.3%. Vlera mesatare për kilogram u ngjit nga rreth 72.7 në 91.7 lekë, një ndryshim që mund të lidhet si me çmimet, ashtu edhe me përbërjen e produkteve të importuara.

Ndryshime të forta shihen edhe te furnitorët. Italia kaloi në vendin e parë në tetëmujor, me rreth 9.48 miliardë lekë, shumë pranë Arabisë Saudite me 9.39 miliardë dhe SHBA-së me 9.27 miliardë. Importet nga Italia u rritën me 170.4%, ndërsa ato nga SHBA pothuajse u katërfishuan, me një rritje prej 286.9%. Në të kundërt, furnizimet nga Arabia Saudite ranë me 30.9%. 

Vetëm në gusht, SHBA ishte furnitori kryesor, me 4.28 miliardë lekë, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe arritën në 1.86 miliardë lekë. 

Kjo zhvendosje zhvillohet në një moment të ndërlikuar për tregjet energjetike. Lufta në Lindjen e Mesme dhe problemet në korridoret kryesore të transportit kanë rritur kostot dhe pasigurinë në zinxhirët globalë të furnizimit; Reuters raporton se transporti përmes Hormuzit vijon të përballet me kufizime dhe kosto të larta.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat