Europa Postuar më 21 September 2026, 11:17

Pronat ndikojnë zgjedhjet - Qiratë dhe çmimet ndryshuan sjelljen e votuesve në Berlin

Nga SCAN TV

Berlini

Në Berlin, pasuritë e paluajtshme nuk ishin thjesht një çështje ekonomike por u kthyen në një nga çështjet që përcaktuan votën.

Zgjedhjet e 20 shtatorit sollën një rezultat historik. Die Linke doli forcë e parë me 25.7% të votave, duke më shumë se dyfishuar rezultatin e vitit 2023. CDU ra në 18.8%, ndërsa SPD, partia që ka dominuar për dekada politikën e kryeqytetit gjerman, zbriti në vetëm 12.1%.

Por pas këtij ndryshimi politik qëndron edhe një problem shumë konkret: banesa.

Berlini është një qytet qiramarrësish. Rreth 85% e familjeve jetojnë me qira dhe gjatë dekadës së fundit presioni mbi tregun e banesave është rritur ndjeshëm. Qiratë e kërkuara për kontratat e reja janë pothuajse dyfishuar që prej vitit 2014, ndërsa autoritetet vlerësojnë se qytetit do t'i duhen edhe rreth 211 mijë banesa deri në vitin 2040.

Kjo e transformoi tregun imobiliar në një problem elektoral.

Sipas analizës së ‘Infratest dimap’, 18% e votuesve deklaruan se çështja e banesave ndikoi në vendimin e tyre elektoral. Dhe pikërisht këtu Die Linke krijoi avantazhin më të madh ndaj kundërshtarëve: 37% e qytetarëve e konsideronin atë partinë më të aftë për të siguruar banesa me çmime të përballueshme. Vetëm 11% ia atribuonin këtë aftësi SPD-së dhe vetëm 8% CDU-së.

Elif Eralp e ndërtoi një pjesë të rëndësishme të fushatës pikërisht mbi këtë pakënaqësi.

Programi i Die Linke parashikonte ngrirjen fillestare të qirave dhe më pas kufizimin e rritjes së tyre, reduktimin e detyrueshëm të qirave që tejkalojnë me më shumë se 20% nivelin lokal të referencës, kufizimin e përdorimit të apartamenteve për qira turistike dhe zgjerimin e banesave të përballueshme.

Por propozimi më radikal lidhet drejtpërdrejt me pronësinë.

Die Linke kërkon zbatimin e referendumit të Berlinit të vitit 2021 dhe kalimin në pronësi publike, kundrejt kompensimit, të rreth 220 mijë apartamenteve që kontrollohen nga kompanitë e mëdha të banesave. Eralp e ka lidhur këtë politikë me synimin për të kufizuar spekulimin në tregun imobiliar.

Por këtu shfaqet një paradoks interesant.

Die Linke fitoi zgjedhjet duke e vendosur krizën e banesave në qendër të fushatës, por shumica e qytetarëve nuk mbështesin domosdoshmërisht zgjidhjen e saj më radikale. Sipas ‘Infratest dimap’, 51% kundërshtojnë kalimin e kompanive të mëdha të banesave në pronësi publike dhe vetëm 37% e mbështesin atë. Kostoja e operacionit është vlerësuar nga përfaqësues të SPD-së në rreth 20 miliardë euro.

Kjo sugjeron se rezultati nuk duhet interpretuar thjesht si mbështetje për shtetëzimin e pronave.

Mesazhi elektoral duket më i gjerë pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve mendon se modeli aktual i tregut të banesave nuk po funksionon për ta.

Dhe presioni ndihet veçanërisht te brezat e rinj.

Die Linke mori 43% të votave mes 16–24-vjeçarëve dhe 49% mes 25–34-vjeçarëve. Pikërisht këto janë grupmoshat që përballen më drejtpërdrejt me hyrjen në një treg ku qiratë janë rritur fort dhe blerja e një banese është gjithnjë e më e vështirë.

Në këtë mënyrë, pasuritë e paluajtshme po marrin një dimension të ri politik.

Për dekada, rritja e çmimeve të pronave shihej kryesisht si tregues pasurie për pronarët dhe investitorët. Por kur çmimet dhe qiratë rriten më shpejt sesa mundësitë financiare të një pjese të popullsisë, e njëjta rritje krijon një grup tjetër, ata që ndihen të përjashtuar nga tregu.

Berlini tregoi se ky grup mund të shndërrohet në një forcë elektorale.  Dhe kjo është arsyeja pse rezultati i kryeqytetit gjerman ka rëndësi edhe përtej Gjermanisë.

Në shumë metropole europiane, debati mbi pasuritë e paluajtshme po zhvendoset gradualisht nga pyetja “sa janë rritur çmimet?”, tek një pyetje shumë më politike: “Kush mund ta përballojë më jetesën në qytet?”. Dhe në Berlin, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje tashmë ndikoi edhe kutinë e votimit.

Live TV

Të fundit
Shqipëria 21 September Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat kryesore

Dollari amerikan e ka nisur këtë javë negativisht duke humbur pikë gjatë fundjavës teksa është blerë sot me 79.2 lekë dhe është shitur me 80.1 lekë në raport......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 21 September Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat kryesore

Dollari amerikan e ka nisur këtë javë negativisht duke humbur pikë gjatë fundjavës teksa është blerë sot me 79.2 lekë dhe është shitur me 80.1 lekë në raport......