Bota Postuar më 21 September 2026, 10:08

Nafta në rënie - Shpresat për diplomaci SHBA-Iran zbusin tensionet në tregje

Nga Edel Strazimiri

Çmimet e naftës ranë mbi 2% të hënën, duke prekur nivelin më të ulët që prej 10 shtatorit, pasi tregjet reaguan ndaj shpresave për një përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-së dhe Iranit.

Nafta Brent ra me 2.08%, në 101.71 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) humbi 2.14%, duke zbritur në 98.15 dollarë.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është i hapur për një takim me presidentin iranian, i cili pritet të jetë në Nju Jork këtë javë për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ndërkohë, Irani dhe SHBA-ja shkëmbyen kërcënime të reja të dielën, ndërsa negociatat për përfundimin e konfliktit mbeten në ngërç. Sipas Reuters, Irani i ka përcjellë ndërmjetësve kushtet për rikthimin në bisedime.

Tensionet mbeten të larta edhe për shkak të sulmeve të Houthi ndaj objektivave në Arabinë Saudite. Grupi tha se kishte goditur me raketa dhe dronë disa pika në Riad, si dhe një impiant të Aramco-s në Yanbu, qendër e rëndësishme e eksporteve të naftës.

Sulmet ndaj tubacionit East-West të Arabisë Saudite kanë bërë që Aramco të rrisë eksportet përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë këtij muaji dhe në tetor, pasi disa dërgesa përmes Yanbu u pezulluan.

Sipas të dhënave paraprake, eksportet saudite janë rritur në mbi 4 milionë fuçi në ditë gjatë shtatorit, nga 2.4 milionë në gusht.

Ndërkohë, rrjedhat e naftës nga Lindja e Mesme kanë mbetur relativisht të forta. JPMorgan vlerëson se gjatë 10 ditëve të fundit ato kanë qenë mesatarisht 17.1 milionë fuçi në ditë.

Dërgesat saudite përmes Ngushticës së Hormuzit janë rritur gjithashtu, duke arritur mesatarisht 2.9 milionë fuçi në ditë gjatë gjashtë ditëve të fundit, nga vetëm 700 mijë fuçi në ditë në gusht.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat