Shqipëria Postuar më 21 September 2026, 13:19

Buxheti rrit të ardhurat - Arkëtimet kalojnë planin, mblidhen 557.6 mld lekë në 8 muaj

Nga Dorian Koça

Të ardhurat e buxhetit kanë vijuar rritjen gjatë 8-mujorit të vitit 2026, duke kaluar lehtë objektivin e planifikuar për periudhën. Sipas të dhënave paraprake të treguesve fiskalë, në arkën e shtetit janë mbledhur rreth 557.6 miliardë lekë, ose 100.1% e planit janar–gusht.

Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 496 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 95.6% të planit. Krahasuar me 8-mujorin e vitit 2025, shpenzimet janë rritur me 37.5 miliardë lekë ose 8.2%.

Një nga zërat që ka ndikuar më shumë në rritjen e të ardhurave është TVSH-ja neto e arkëtuar në vend. Për periudhën janar–gusht, arkëtimet nga TVSH-ja arritën në 56.8 miliardë lekë, me një rritje prej 11.1 miliardë lekësh ose 24.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në raport me planin, realizimi i TVSH-së ka qenë 104.5%. Ndërkohë, rimbursimet e dhëna gjatë periudhës kanë arritur në 9.6 miliardë lekë.

Edhe tatimi mbi të ardhurat personale ka shënuar rritje të ndjeshme. Nga ky zë janë mbledhur 65.5 miliardë lekë, ose 8.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, me një rritje prej 15.5%.

Sa i përket shpenzimeve kapitale, ato arritën në 56.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12.2% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2025. Megjithatë, krahasuar me planin, realizimi ishte 86.3%. Ndërkohë, shpenzimet korente arritën në 439.3 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 97% të planit. Krahasuar me një vit më parë, ato janë rritur me 7.7%.

Të dhënat e 8-mujorit tregojnë se rritja e të ardhurave ka qenë më e shpejtë se rritja e shpenzimeve. Në fund të periudhës, diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve të raportuara është rreth 61.6 miliardë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat