Shqipëria Postuar më 21 September 2026, 17:52

Projektligj për ndryshimin e Kodit Doganor, unifikohen procedurat me doganat e BE, lehtësohet tregtia

Nga Scan TV

815367374_18196779511382982_7614653998866967709_n.jpg

Shqipëria do të përfarojë plotësisht Kodin Doganor Shqiptar me Kodin Doganor të BE-së duke përmirësuar dhe qartësuar zbatimin e procedurave të parashikuara në legjislacionin doganor, si nga ana e administratës doganore, ashtu edhe nga ana e operatorëve ekonomikë apo personave në përgjithësi të cilët kryejnë veprime në fushën doganore.

Projektligji i publikuar për konsultim publik sjellë risi në fushën doganore, pasi forcon transparencën, të drejtat procedurale dhe mbrojtjen ligjore të subjekteve, veçanërisht në lidhje me marrjen e vendimeve administrative, të drejtën për t’u dëgjuar, arsyetimin e vendimeve dhe të drejtën e ankimit, duke i përafruar këto standarde me praktikat e BE-së.

Një përparësi tjetër thelbësore është avancimi i digjitalizimit të proceseve doganore, përmes rregullimit të qartë të përdorimit të sistemeve elektronike për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacionit, si dhe krijimit të bazës ligjore për bashkëpunimin me institucionet kombëtare dhe Komisionin Evropian në fushën e sistemeve elektronike doganore.

Po ashtu, projektligji përmirëson kuadrin ligjor për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO), duke mundësuar njohjen e këtij statusi edhe për operatorë të vendosur jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, mbi bazën e reciprocitetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, duke nxitur në këtë mënyrë lehtësimin e tregtisë dhe rrit besueshmërinë e zinxhirit të furnizimit.

Projektligji adreson disa problematika të konstatuara në zbatimin e legjislacionit aktual doganor, boshllëqet ligjore në lidhje me vendimmarrjen administrative, menaxhimin e vendimeve doganore dhe përdorimin e sistemeve elektronike, si dhe pasaktësi në referenca të caktuara të neneve të Kodit Doganor. Gjithashtu, nevoja për të reflektuar ndryshimet e fundit të acquis-it të BE-së, përfshirë rregulloret e reja mbi “Dritaren e Vetme Doganore” (Single Window) dhe menaxhimin e rrezikut, konsiderohet se e bën të domosdoshëm këtë ndërhyrje ligjore për të shmangur mospërputhje të mëtejshme në procesin e integrimit evropian.

Miratimi i projektligjit pritet të ketë efekte pozitive, në rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së veprimtarisë së administratës doganore, lehtëson procedurat për operatorët ekonomikë dhe pritet të përmirësojë klimën e biznesit në fushën e tregtisë së jashtme. 

Ndryshimet më të prekshme lidhen me disa korrigjime që i janë bërë seksionit të shkeljeve duke shmangur përfshirjen e të njëjtave parashikimeve në dy nene, si dhe është vendosur një limit për kamatvonesën për detyrimet e papaguara. Konkretisht shuma maksimale e kamatvonesës që zbatohet nga autoritetet doganore nuk duhet të tejkalojë shumën e detyrimeve të importit ose eksportit mbi të cilat zbatohet kamatvonesa.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat