Shqipëria Postuar më 22 September 2026, 12:08

Pronat, si zgjidhen mbivendosjet? - Rastet kur ASHP-ja refuzon regjistrimin e pasurive

Nga Elisabeta Dosku

doc shtepi.jpg

Pronat që kanë mbivendosje do të marrin zgjidhje përmes ligjeve që pritet të miratohen së shpejti.

Në projektligjin për “Agjencinë Shtetërore të Pronës” të publikuar për konsultim publik, sqarohet se çdo akt që sjell ndryshime ose përfitim të së drejtës së pronësisë, sipas parashikimeve të Kodit Civil dhe legjislacionit në fuqi, duhet të regjistrohet në këtë Agjenci. 

Konkretisht, sipas nenit 37 të projektligjit aktet e gjykatave, noterëve, përmbaruesve gjyqësorë dhe organeve të tjera shtetërore, që përmbajnë fitimin, njohjen, ndryshimin, pushimin e një të drejte pronësie, ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike ose aktet e tjera për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë, duhet të regjistrohen. Organet i deklarojnë aktet e sipërpërmendura në kadastrën digjitale kombëtare, që në momentin e formalizimit të tyre, nëpërmjet aksesit të siguruar nga ASHP-ja.

Por çfarë ndodh në rastet kur dokumentet e paraqitura për regjistrim krijojnë mbivendosje me pasuri të regjistruar më parë?

Në këtë rast, draftligji përcakton se drejtoria vendore me vendim të arsyetuar refuzon regjistrimin e pasurisë për atë pjesë që krijon mbivendosje, deri në zgjidhjen gjyqësore dhe orienton kërkuesin për zgjidhjen e çështjes në rrugë civile apo gjyqësore.

Çdo akt apo veprim i mëvonshëm tjetërsimi i pasurisë, që nuk ka vijimësi kronologjike dhe që do të krijonte mbivendosje të titujve të pronësisë, refuzohet nga ASHP-ja.

Regjistrimi përfundimtar i akteve realizohet me kërkesë të palës së interesuar/përfituese të të drejtave, pas pagesës së tarifës së shërbimit. Vetëm pas shlyerjes së saj, subjekti përfiton certifikatën e pronësisë dhe shërbimet e tjera kadastrale si pronar i pasurisë apo titullar i të drejtave të tjera reale.

Ndërsa referuar nenit 40 të projektligjit, drejtuesi i drejtorisë vendore, ose Drejtori i Përgjithshëm mund të urdhërojnë ndalimin e veprimeve në çdo kartelë, hartë apo zonë kadastrale, për shkak të regjistrimeve të mbivendosura mbi të njëjtën pasuri/sipërfaqe, pa u vendosur sigurimi i padisë. Në këtë rast  ASHP vendos një shënim në seksionin përkatës të kartelave të të dy (apo më shumë) regjistrimeve të mbivendosura, me vlerës informuese mbi faktin e mbivendosjes. Ky shënim nuk pengon disponimin e pasurive nga palët titullarë të regjistrimeve të mbivendosura, por nuk hiqet nga regjistri deri në zgjidhjen e mbivendosjes në rrugë civile apo gjyqësore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat