Lajme Postuar më 24 October 2026, 11:33

Si bëhet pjesëtimi i pronës?/ Aplikimi në e-Albania, procedura dhe hapat që duhet të ndiqen

Nga Elisabeta Dosku

Si bëhet pjesëtimi i pronës?/ Aplikimi në e-Albania,

Qytetarët që kanë një pronë në bashkëpronësi mund të aplikojnë për ndarjen e saj, direkt në e-Albania.

Kadastra Shqiptare ka publikuar udhëzimet zyrtare mbi mënyrën se si qytetarët mund të kryejnë regjistrimin e pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme, në rastet kur ajo ndahet ndërmjet disa bashkëpronarëve. 

Konkretisht, regjistrimi zyrtar në Kadastër bëhet mbi bazën e një marrëveshjeje noteriale ose të një vendimi të formës së prerë nga gjykata.  

Për të lehtësuar këtë proces dhe për të shmangur radhët fizike, aplikimi kryhet tërësisht online përmes platformës qeveritare e-Albania, në disa hapa.

Fillimisht bëhet identifikimi në portalin e-Albania dhe më pas zgjidhet shërbimin i emërtuar: "Regjistrimi i pjestimit të pasurisë së paluajtshme me vendim gjykate/apo marrëveshje noteriale - R15"⁠.  

Plotësohen me kujdes të dhënat e aplikantit, të dhënat specifike të pasurisë, si dhe të dhënat e palës tjetër përfshirë në pjesëtim.  

Më pas ngarkohet dokumentacioni i nevojshëm në format PDF (kontratën noteriale të pjesëtimit, vendimin e gjykatës ose dokumente të tjera mbështetëse, sipas rastit).  

Pas dërgimit me sukses të aplikimit online, qytetarët mund të shkarkojnë mandatin e pagesës. Pagesa mund të kryhet online direkt në portal;  Pranë çdo filiali të Postës Shqiptare apo pranë një banke të nivelit të dytë.  

Kadastra Shqiptare u bën thirrje të gjithë aplikantëve që, përpara se të kryejnë dërgimin e kërkesës, të sigurohen që dokumentacioni të jetë i plotë dhe të dhënat e pasurisë të jenë të sakta, për të shmangur vonesat në procesimin e dosjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat