Lajme Postuar më 24 October 2026, 12:27

Bizneset, certifikim i detyrueshëm/ Dhoma Ekonomike merr kompetenca të reja

Nga SCAN TV

Bizneset, certifikim i detyrueshëm/ Dhoma Ekonomike merr kompetenca të

Bizneset shqiptare do të përballen me një detyrim të ri administrativ, që lidhet me certifikimin e aktivitetit ekonomik që ushtrojnë. Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për regjistrimin e biznesit” parashikon që Dhoma Ekonomike Kombëtare të marrë një rol të posaçëm në identifikimin, verifikimin dhe certifikimin e veprimtarive ekonomike të subjekteve tregtare.

Sipas ndryshimeve të propozuara, Dhoma Ekonomike Kombëtare do të jetë përgjegjëse për certifikimin dhe përditësimin e Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, i njohur si Kodi NVE. Ky kod përcakton klasifikimin zyrtar të aktivitetit që ushtron një biznes dhe do të përdoret si referencë në regjistrin tregtar.

Rregullat e reja parashikojnë që subjektet të mund të regjistrohen fillimisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të pajisen me NIPT, pa pasur si parakusht certifikatën e Dhomës Ekonomike Kombëtare. Megjithatë, brenda 30 ditëve kalendarike nga regjistrimi, biznesi duhet ta depozitojë certifikatën përkatëse në portalin e-Albania. Në rast të mosrespektimit të këtij afati, subjekti kalon automatikisht në statusin e pezulluar, deri në plotësimin e detyrimit.

Certifikimi nuk do të jetë vetëm një procedurë fillestare. Projektligji parashikon edhe deklarimin periodik vjetor të Kodit NVE, me detyrimin që bizneset të depozitojnë certifikatën e përditësuar jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga përfundimi i afatit njëvjeçar të certifikatës së mëparshme. Detyrime të veçanta parashikohen edhe kur një subjekt ndryshon objektin ose fushën e veprimtarisë.

Mosrespektimi i detyrimeve për deklarimin periodik apo përditësimin e Kodit NVE do të shoqërohet me sanksione. Projektligji parashikon gjoba prej 60 mijë lekësh për shkeljet e përcaktuara, si dhe pezullimin e së drejtës për të kryer veprime në regjistrin tregtar deri në saktësimin dhe certifikimin e aktivitetit.

Ndryshimet i japin Dhomës Ekonomike Kombëtare funksione të rëndësishme në administrimin e informacionit ekonomik të bizneseve, ndërsa QKB-ja do të vijojë të jetë institucioni përgjegjës për regjistrimin tregtar. Funksionet e reja do të zbatohen në lidhje me hyrjen në fuqi të ligjit për Dhomën Ekonomike Kombëtare dhe plotësimin e kushteve përkatëse teknike e institucionale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat