Lajme Postuar më 24 October 2026, 12:45

Pse ndryshon ora?/ Arsyeja ekonomike dhe historike e lëvizjes së akrepave

Nga SCAN TV

Pse ndryshon ora?/ Arsyeja ekonomike dhe historike  e lëvizjes së

Të dielën, më 25 tetor, Shqipëria kalon në orën dimërore. Në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat do të kthehen 60 minuta pas, duke shënuar sërish orën 02:00. Kjo do të thotë se e diela do të ketë 25 orë, ndërsa qytetarët do të kenë mundësinë të flenë një orë më shumë.

Por pas këtij ndryshimi, që përsëritet dy herë në vit, fshihet një histori më shumë se njëshekullore, e lidhur ngushtë me ekonominë, luftërat botërore dhe përpjekjet për të kursyer energji.

Ideja e shfrytëzimit më të mirë të dritës natyrore daton që në vitin 1784, kur Benjamin Franklin sugjeronte, në mënyrë satirike, se zgjimi më herët mund të kursente qirinjtë dhe vajin e përdorur për ndriçim.

Por ndryshimi i orës u kthye në një masë konkrete ekonomike gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1916, Gjermania vendosi të zhvendoste akrepat për të shfrytëzuar më gjatë dritën e diellit dhe për të reduktuar konsumin e qymyrit, një burim jetik për industrinë dhe ekonominë e luftës. Praktika u përhap më pas edhe në vende të tjera europiane.

Në Shqipëri, ndryshimi i orës është dokumentuar për herë të parë në vitin 1940, ndërsa pas disa periudhave ndërprerjeje u rikthye në vitin 1974.

Pikërisht vitet '70 shënuan një tjetër etapë të rëndësishme. Kriza botërore e naftës e vitit 1973 dhe rritja e çmimeve të energjisë shtynë shumë vende europiane t'i riktheheshin orës verore, në përpjekje për të ulur konsumin dhe faturat energjetike.

Por sa përfiton realisht ekonomia nga ndryshimi i orës?

Një analizë shkencore e publikuar në revistën The Energy Journal, e mbështetur në 44 studime ndërkombëtare, arriti në përfundimin se kursimi mesatar i raportuar i energjisë elektrike ishte vetëm 0.34% gjatë periudhës së orës verore.

Sipas studiuesve, përfitimet ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Ndriçimi më i pakët në mbrëmje mund të ulë konsumin, por përdorimi i ngrohjes apo i kondicionerëve mund të kompensojë një pjesë të kursimit. Për këtë arsye, përfitimi ekonomik nuk është i njëjtë në çdo klimë dhe ekonomi.

Edhe Bashkimi Europian ka diskutuar heqjen e ndryshimit sezonal të orës. Në vitin 2018, Komisioni Europian propozoi ndërprerjen e kësaj praktike, ndërsa Parlamenti Europian e mbështeti nismën në vitin 2019. Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare mes vendeve anëtare ka bërë që sistemi të mbetet në fuqi.

Kështu, më shumë se një shekull pas zbatimit për të kursyer qymyrin, Europa vazhdon të ndryshojë akrepat dy herë në vit, ndërsa dobia reale ekonomike e kësaj praktike mbetet objekt diskutimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat