Me laps dhe letër Postuar më 24 October 2026, 12:38

Sa vlen një rritje page? E njëjta shtesë neto kushton më shumë për pagën minimale

Nga Scan TV

Sa vlen një rritje page? E njëjta shtesë neto kushton më

Sa duhet të shpenzojë një kompani që një punonjësi t'i shtohen 10 mijë lekë në pagën që merr në bankë? Përllogaritjet bazuar në sistemin aktual të tatimeve dhe kontributeve tregojnë se kostoja mund të arrijë deri në 19,400 lekë në muaj, pothuajse dyfishi i shumës që përfiton punonjësi.

Por paradoksi qëndron diku tjetër. E njëjta rritje neto i kushton kompanisë më shumë për një punonjës me pagë minimale sesa për një punonjës me pagë mesatare.

Le të marrim fillimisht pagën mesatare në Shqipëri, e cila, sipas INSTAT-it, arriti në 92,150 lekë bruto gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Një punonjës me këtë pagë merr rreth 73,750 lekë neto.

Nëse kompania vendos t'ia rrisë pagën që ai të përfitojë 10 mijë lekë neto më shumë çdo muaj, shpenzimi shtesë për biznesin do të ishte rreth 15,396 lekë. Nga kjo shumë, 10 mijë lekë i kalojnë punonjësit, ndërsa rreth 5,396 lekë përbëjnë detyrime shtesë për tatimin mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve.

Situata ndryshon për një punonjës me pagë minimale prej 50 mijë lekësh bruto, i cili aktualisht përfiton 44,400 lekë neto. Që këtij punonjësi t'i shtohen 10 mijë lekë në pagën neto, paga e tij bruto duhet të rritet me rreth 16,623 lekë. Duke përfshirë edhe kontributet shtesë të punëdhënësit, kostoja totale për kompaninë arrin në 19,399 lekë në muaj.

Pra, për të njëjtën rritje prej 10 mijë lekësh në xhepin e punonjësit, biznesi shpenzon rreth 4 mijë lekë më shumë për atë që fillimisht paguhet me pagë minimale.

Arsyeja lidhet me mënyrën e llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat. Paga bruto deri në 50 mijë lekë nuk tatohet, ndërsa me kalimin e pragjeve prej 50 mijë dhe 60 mijë lekësh zvogëlohet shuma që zbritet nga baza tatimore. Për pasojë, një pjesë më e madhe e rritjes së pagës shkon për tatimin dhe kontributet, duke rritur koston për punëdhënësin.

Përllogaritjet tregojnë se një rritje prej 10 mijë lekësh neto nuk ka të njëjtën kosto për çdo punonjës. Diferenca mes dy skenarëve arrin në rreth 48 mijë lekë në vit për punonjës, ndërsa shuma që përfitohet në fund të muajit mbetet e njëjtë.

Sa vlen një rritje page? E njëjta shtesë neto kushton më

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat