Lajme Postuar më 24 October 2026, 12:51

Jo burg, por rehabilitim? Strategji e re/ Instituti në Mëzez, plan për të miturit në konflikt me ligjin

Nga Diamila Leka

Jo burg, por rehabilitim?  Strategji e re/ Instituti në Mëzez, plan

Parandalimi i kriminalitetit te të miturit dhe riintegrimi i tyre në shoqëri janë në fokus të strategjisë së re të drejtësisë për periudhën 2027–2030, të propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Dokumenti synon të vijojë reformat e nisura gjatë periudhës 2022–2026, duke adresuar problematikat ligjore, strukturore dhe operacionale të evidentuara gjatë zbatimit të strategjisë aktuale. 

Një nga drejtimet kryesore është zgjerimi i masave alternative ndaj privimit të lirisë, si dhe shmangia e ndjekjes penale dhe procedurave gjyqësore për të miturit, kur plotësohen kushtet ligjore. Parashikohet gjithashtu zhvillimi i programeve të drejtësisë restauruese, ndërmjetësimit dhe mbështetjes psikologjike e sociale, me synim parandalimin e përsëritjes së veprave penale. 

Një tjetër element i strategjisë është ngritja dhe funksionalizimi i Institutit të Rehabilitimit dhe Riintegrimit për të Miturit në Konflikt me Ligjin, në Mëzez, i cili synon të mbështesë procesin e rehabilitimit dhe rikthimin e tyre në familje e komunitet. 

Dokumenti parashikon gjithashtu zgjerimin e aksesit të fëmijëve në drejtësi për çështjet civile, familjare dhe administrative, duke garantuar informimin, dëgjimin dhe përfaqësimin e tyre në procedurat që prekin të drejtat dhe interesat e tyre. Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë për të Miturit 2027–2030, së bashku me planin e veprimit dhe treguesit e monitorimit, është ende në fazën e projektimit. Sipas relacionit shpjegues, synohet që nisma t’i paraqitet Këshillit të Ministrave për shqyrtim brenda dhjetorit 2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat