Kompanitë shqiptare, në shitje? - Integrimi në BE mund të nxisë bashkimet e kompanive

Shqipëria po përgatit një kuadër të ri ligjor që mund të lehtësojë blerjen dhe përthithjen e kompanive shqiptare nga grupet e mëdha europiane, duke krijuar kushte për një konsolidim më të madh të tregut vendas. Projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare përcakton procedura të reja për integrimin juridik të bizneseve shqiptare me ato të Bashkimit Europian dhe Zonës Ekonomike Europiane.
Në praktikë, një kompani europiane që blen një biznes shqiptar mund të vendosë ta ruajë atë si subjekt të veçantë ose ta përthithë brenda strukturës së saj. Në rastin e përthithjes, kompania shqiptare pushon së ekzistuari juridikisht, ndërsa pasuritë, kontratat, të drejtat dhe detyrimet e saj i kalojnë kompanisë pasardhëse, pa qenë e nevojshme të kryhet më parë procesi i likuidimit.
Një nga elementet më interesante të projektligjit është parashikimi i procedurave të thjeshtuara për bashkimet ndërmjet kompanive që i përkasin të njëjtit grup. Sipas nenit 34, në rastet kur një shoqëri zotëron të gjitha kuotat ose aksionet me të drejtë vote të kompanisë që përthithet, mund të shmangen disa prej formaliteteve dhe raporteve që kërkohen në bashkimet e zakonshme. Kjo krijon mundësi për një riorganizim më të lehtë të filialeve të kompanive ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.
Ndryshimet mund të kenë rëndësi për tregun shqiptar të blerjeve dhe bashkimeve të bizneseve, duke krijuar një mjedis ligjor më të parashikueshëm për investitorët e huaj. Kompanitë europiane mund të kenë më shumë mundësi për të integruar bizneset e blera në Shqipëri, ndërsa sipërmarrjet vendase mund të përfshihen në struktura më të mëdha ndërkombëtare.
Megjithatë, përthithja e një kompanie nuk nënkupton domosdoshmërisht mbylljen e aktivitetit të saj ekonomik në Shqipëri. Fabrikat, njësitë e prodhimit apo shërbimet mund të vijojnë veprimtarinë, edhe nëse subjekti juridik shqiptar pushon së ekzistuari. Projektligji parashikon gjithashtu që marrëdhëniet e punës dhe detyrimet ekzistuese të kalojnë te kompania pasardhëse, duke vendosur mekanizma mbrojtës për punonjësit, kreditorët dhe aksionarët që kundërshtojnë bashkimin.
Nisma nuk i prezanton bashkimet ndërkufitare si një mundësi krejtësisht të re, pasi ato rregulloheshin edhe nga ligji i vitit 2012. Ndryshimi qëndron te përditësimi i procedurave, zgjerimi i mekanizmave të mbrojtjes dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me direktivat europiane.
Në relacionin shpjegues, qeveria argumenton se rregullat e reja pritet të ulin kostot dhe kohën e transaksioneve, të lehtësojnë riorganizimin e kompanive dhe të përmirësojnë klimën e investimeve.
Megjithatë, projektligji nuk përmban parashikime konkrete për numrin e kompanive shqiptare që mund të blihen apo përthithen nga investitorët europianë. Ndikimi real në përqendrimin e tregut, konkurrencën dhe punësimin do të varet nga transaksionet që do të realizohen pas miratimit dhe zbatimit të kuadrit të ri ligjor.
Lehtësohen bizneset - Bashkia Tiranë pezullon taksat vendore për subjektet e dëmtuara, ose të mbyllura
Bashkia Tiranë ka vendosur të ndërhyjë nëpërmjet pezullimit të taksave për bizneset e dëmtuara ose të mbyllura si pasojë e protestave të disa ditëve më parë.......
Tarifë për apartamentet bosh - Kush s’paguan administrimin, kufizim prone në Kadastër
Pronarët e apartamenteve që nuk paguajnë tarifat e administrimit të pallateve mund të përballen me kamatëvonesa të larta, procedura përmbarimore dhe deri në......
Biznesi, 68% vlerëson koston / Sa rëndësi ka fuqia punëtore në bashkëpunimin me Ballkanin?
Cilësia dhe kostoja e fuqisë punëtore mbeten faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të......
Si ndahen institucionet? - Rreth 158 struktura nën përgjegjësinë e ministrive
Ministritë në Shqipëri mbikëqyrin një rrjet të gjerë institucionesh, të cilat mbulojnë sektorë të ndryshëm të shërbimeve publike dhe zbatimit të politikave......
705 mln euro shtesë në buxhet/ 9-mujori, TVSH-ja dhe tatimi mbi pagat kryesojnë rritjen e të ardhurave
Buxheti i shtetit ka arkëtuar rreth 626.6 miliardë lekë, gjatë 9 muajve të parë të vitit, me një realizim në masën 100.3% të planit të periudhës. Të ardhurat......
Mbetjet, treg i ri biznesi? - Prodhuesve u kalon financimi i sistemit
Shqipëria po përgatitet të ndryshojë mënyrën se si menaxhon mbetjet, duke synuar krijimin e një tregu të ri për grumbullimin, ripërdorimin dhe riciklimin e......
Makinat për skrap, pa pagesë - Projektvendimi: Kostot i mbulojnë prodhuesit dhe importuesit, përjashtimet për pronarët
Pronarët e automjeteve që kanë dalë përfundimisht jashtë përdorimit do të mund t’i dorëzojnë ato për trajtim pa paguar, edhe kur makina nuk ka më vlerë tregu......
Blerja e elektroshtëpiakes së re? - Dyqanet mund të detyrohen të marrin falas pajisjen e vjetër
Një ndryshim i ri mund të vijë për të gjithë qytetarët që blejnë pajisje elektroshtëpiake. Kush blen një frigorifer, lavatriçe apo televizor të ri, mund të......

