Shqipëria Postuar më 23 October 2026, 12:28

Blerja e elektroshtëpiakes së re? - Dyqanet mund të detyrohen të marrin falas pajisjen e vjetër

Nga SCAN TV

Blerja e elektroshtëpiakes së re? - Dyqanet mund të detyrohen

Një ndryshim i ri mund të vijë për të gjithë qytetarët që blejnë pajisje elektroshtëpiake. Kush blen një frigorifer, lavatriçe apo televizor të ri, mund të dorëzojë pajisjen e vjetër pa paguar asnjë tarifë për pranimin e saj.

Masa parashikohet në projektvendimin e qeverisë për menaxhimin e mbetjeve elektrike dhe elektronike, të hedhur në konsultim publik nga Ministria e Mjedisit. Sipas propozimit, tregtarët do të detyrohen të pranojnë një pajisje të vjetër për çdo pajisje të re të shitur, me kusht që produktet të jenë të të njëjtit lloj dhe të kryejnë të njëjtin funksion.

Pra, blerja e një lavatriçeje të re do të mundësojë dorëzimin e lavatriçes së vjetër, pa kosto shtesë për pranimin e saj. Projektvendimi parashikon një detyrim të veçantë për dyqanet që kanë mbi 400 metra katrorë sipërfaqe shitjeje për pajisje elektrike dhe elektronike. Këto subjekte do të duhet të pranojnë pa pagesë pajisje elektronike shumë të vogla, edhe kur qytetari nuk blen një produkt të ri.

Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e trajtimit të pajisjeve jashtë përdorimit. Ato duhet të grumbullohen veçmas nga mbeturinat e zakonshme shtëpiake, për të mundësuar riciklimin dhe trajtimin e sigurt të përbërësve të rrezikshëm.

Bashkitë do të duhet të krijojnë pika të posaçme grumbullimi, ku qytetarët mund të dorëzojnë pajisjet pa pagesë. Për organizimin e këtij sistemi parashikohet një afat prej tre vitesh nga hyrja në fuqi e vendimit.

Prodhuesit dhe distributorët do të kenë gjithashtu detyrimin të informojnë qytetarët për mënyrën e dorëzimit të pajisjeve dhe rreziqet që sjell hedhja e tyre në mënyrë të pakontrolluar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat