Analiza Postuar më 23 October 2026, 12:07

Fasoni humbet miliarda/ Eksportet bien fort, euro shton presionin mbi sektorin

Nga Xhorxhina Deda

Sektori fason po humbet terren me ritme që tashmë shihen jo vetëm në vlerën e eksporteve, por edhe në sasinë e mallrave që dalin nga vendi. Të dhënat e INSTAT të analizuara nga “Scan Intel” tregojnë se katër vjet pas kulmit të eksporteve, industria e tekstileve, këpucëve dhe lëkurës ka humbur afro 29 miliardë lekë shitje jashtë vendit. Rënia ka vijuar edhe këtë vit, ndërsa tkurrja e sasive tregon se problemi nuk lidhet vetëm me zhvlerësimin e euros. 

Në nëntë muajt e parë të vitit 2022, eksportet e këtyre dy grupeve arrinin në rreth 101.6 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2026, ato kanë zbritur në vetëm 72.8 miliardë lekë, duke shënuar një tkurrje prej rreth 28%.

Rënia nuk është vetëm efekt i vlerës së eksporteve në lekë. Edhe sasia fizike e eksportuar është zvogëluar ndjeshëm. Nga rreth 49,700 ton në janar-shtator 2022, ajo ka zbritur në 34,300 ton këtë vit, ose rreth 31% më pak.

Vetëm krahasuar me nëntëmujorin e vitit të kaluar, vlera e eksporteve të këtyre grupeve ra me 9.2%, ndërsa sasia me 11.5%. Goditja më e fortë vjen nga tekstilet dhe këpucët, që përbëjnë pjesën dërrmuese të sektorit. Eksportet e tyre ranë nga 78.7 në 71.7 miliardë lekë. Për lëkurën dhe artikujt prej saj, tkurrja ishte edhe më e fortë, me mbi 20% në vlerë.

Shtatori e thelloi më tej tendencën. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 16.2% ndaj një viti më parë, ndërsa INSTAT i rendit ato si grupin me ndikimin më të madh negativ në ecurinë e eksporteve gjatë muajit.

Në sfond mbetet kursi i këmbimit. Euroja gjatë shtatorit 2026 lëvizi rreth nivelit 92 lekë, nga afërsisht 97 lekë një vit më parë. Për kompanitë që arkëtojnë kryesisht në euro dhe paguajnë një pjesë të madhe të kostove në lekë, forcimi i monedhës vendase ushtron presion mbi të ardhurat dhe konkurrueshmërinë.

Megjithatë, rënia e fortë e sasisë së eksportuar tregon se problemi nuk është vetëm kursi i euros. Vetë volumi i aktivitetit eksportues është tkurrur, duke sinjalizuar një dobësim më të thellë të sektorit.

Së fundmi, në kuadër të përgatitjeve të paketës fiskale, shoqata “Pro Eksport Albania”, propozon që pragu i patatueshëm i pagës të rritet në 60,000 lekë në muaj për të gjithë punëmarrësit e industrisë fason, me tatimin që do të aplikohej vetëm mbi pjesën që tejkalon këtë shumë dhe me hyrje në fuqi nga 1 janari 2027.

Ndryshimi i propozuar nga sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve do të kishte ndikim të rëndësishëm dhe shtesë në të ardhurat neto për mbi 70 mijë të punësuar. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat