Shqipëria Postuar më 14 October 2026, 09:53

Protesta e studentëve, tetë orë tensione në Tiranë

Nga SCAN TV

Protesta e studentëve, tetë orë tensione në Tiranë

Përplasje me policinë, gaz lotsjellës, zjarre në rrugë dhe dëmtime të institucioneve publike. Kjo ishte panorama që shoqëroi protestën e studentëve të 13 tetorit, e cila për më shumë se tetë orë u zhvendos në disa zona të kryeqytetit.

Tubimi nisi rreth orës 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentë dhe qytetarë u mblodhën për të kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete, uljen e kostove të studimit dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë. 

Situata u tensionua kur një grup protestuesish nisi të godiste godinën e Ministrisë së Arsimit me gurë, pllaka trotuari dhe sende të tjera të forta. U shkulën kangjella metalike, u thyen xhama dhe u dëmtua rrethimi i institucionit.

Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve, por tensionet nuk u ndalën. Përplasjet vijuan përgjatë Rrugës së Durrësit, ndërsa gjatë pasdites dhe mbrëmjes protesta u zhvendos edhe drejt Bashkisë së Tiranës dhe Pazarit të Ri. Në këto zona u regjistruan dëmtime të pronave publike e private dhe zjarre në rrugë.

Bilanci i përplasjeve ishte i konsiderueshëm. Policia raportoi fillimisht 23 persona të shoqëruar dhe gjashtë efektivë të lënduar, ndërsa raportimet e mëvonshme nga terreni e çuan në rreth 40 numrin e të shoqëruarve.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, njoftoi se në orët e mbrëmjes shtatë persona vijonin të merrnin trajtim në Spitalin e Traumës, mes tyre katër protestues, dy kalimtarë dhe një punonjëse policie. Të gjithë ishin jashtë rrezikut për jetën, ndërsa persona të tjerë, përfshirë gazetarë dhe efektivë policie, kishin marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarjet sollën reagime nga përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës. Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dënoi aktet e dhunës ndaj institucioneve dhe policisë, duke deklaruar se “dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje”.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dënoi sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës, por theksoi se “çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional”.

Nga ana tjetër, opozita akuzoi policinë për përdorim të tepruar të forcës. Ndërsa drejtuesit e opozitës shprehën mbështetjen për vijimin e protestave.

Një nga episodet më të diskutuara ishte rasti i një 19-vjeçari me këmbën e thyer, i cili u shfaq në pamjet filmike duke u transportuar nga efektivët e policisë. I riu deklaroi më pas se kishte qenë kalimtar dhe nuk kishte marrë pjesë në protestë.

Pas publikimit të pamjeve, Policia e Shtetit pezulloi nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit të Komisariatit Nr. 1. Për rastin nisën hetimet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.

Edhe Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar nëse përdorimi i forcës gjatë protestës ka qenë i domosdoshëm dhe proporcional.

Protesta e 13 tetorit u mbyll me përplasje, të lënduar dhe dëme materiale, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë për incidentet dhe veprimet e forcave të rendit. Ndërkohë ditën e sotme është paralajmëruar vijimi i protestës. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat