Shqipëria Postuar më 13 October 2026, 13:29

Investime në infrastrukturë - Rikonstruksion unazave urbane në Ballsh, Fushë Krujë dhe Elbasan

Nga Ernilda Luzi

Investime në infrastrukturë - Rikonstruksion unazave urbane në

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur garën për projektimin dhe zbatimin e punimeve për rikonstruksionin e unazave urbane në Ballsh, Fushë Krujë dhe Elbasan. Fondi limit i parashikuar për këtë investim është 681 milionë e 628 mijë lekë, ndërsa ndërhyrja synon përmirësimin e konektivitetit rajonal dhe të infrastrukturës urbane. Referuar dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërhyrja parashikon rikonstruksionin e rreth 12.3 kilometrave rrugë. Ndërkohë, synohet përmirësimi i infrastrukturës rrugore, sigurisë, aksesueshmërisë dhe lidhjeve me korridoret kombëtare. 

Projekti përfshin tre akse rrugore me një gjatësi totale orientuese prej rreth 12.3 kilometrash. Në Mallakastër, punimet do të përqendrohen në segmentin Varrezat–Agjencia, në hyrjen veriore të Ballshit, i cili lidh qytetin me zonat përreth dhe drejtimin Patos–Fier.

Në Fushë Krujë, ndërhyrja parashikon rikonstruksionin e dy segmenteve të unazës, përfshirë aksin që kalon përmes zonës së Luzit dhe lidh zonën industriale me korridorin kryesor rrugor. Ky segment përshkohet nga mjete të rënda transporti, ndërsa gjendja e amortizuar e rrugës dhe mungesa e elementeve të sigurisë vështirësojnë lëvizjen e banorëve dhe bizneseve.

Ndërsa në Elbasan, projekti përfshin segmentin Bradashesh- Rrethrrotullimi i Luleve dhe një pjesë të unazës së qytetit. Këto akse kanë rëndësi për përballimin e trafikut që vjen nga Tirana, Durrësi dhe zona industriale, si dhe për lidhjen me drejtimet e tjera të transportit rajonal.

Sipas dokumentacionit të projektit, problematikat kryesore lidhen me dëmtimin e shtresave asfaltike, mungesën ose pamjaftueshmërinë e kanalizimeve, trotuaret e dëmtuara ose të munguara, ndriçimin e pamjaftueshëm dhe sinjalistikën rrugore të amortizuar.

Ndërhyrja parashikon, sipas nevojave të secilit segment, rikonstruksionin e rrugëve, riorganizimin e kryqëzimeve, vendosjen e sinjalistikës dhe ndriçimit, si dhe krijimin e hapësirave më të sigurta për këmbësorët dhe çiklistët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat