Analiza Postuar më 13 October 2026, 12:03

Sa fitojnë bizneset online? Për 77% të kompanive përbëjnë deri në 30% të të ardhurave

Nga Eldiona Serani

Sa fitojnë bizneset online? Për 77% të kompanive

Shitjet përmes internetit po krijojnë mundësi të reja për bizneset, por për kompanitë shqiptare ato ende nuk përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave. Të dhënat e Balkan Barometer tregojnë se për shumicën e bizneseve të anketuara, shitjet online kontribuojnë me më pak se 30% të të ardhurave totale, duke dëshmuar se kalimi drejt tregtisë digjitale nuk ka të njëjtën peshë për të gjitha kompanitë.

Sipa raportit, 29% e të anketuarve në Shqipëri deklarojnë se vetëm 1–10% e të ardhurave të kompanisë së tyre vijnë nga shitjet online. Kjo është kategoria me përqindjen më të lartë të përgjigjeve, duke treguar se për një pjesë të konsiderueshme të bizneseve, interneti shërben si një kanal shtesë shitjeje dhe jo si burimi kryesor i aktivitetit tregtar.

Një tjetër grup i rëndësishëm përbëhet nga kompanitë që sigurojnë përmes internetit 11–20% të të ardhurave. Kjo kategori përfaqëson 25% të të anketuarve, ndërsa 23% deklarojnë se shitjet online zënë 21–30% të të ardhurave të tyre. Pra, pjesa më e madhe e përgjigjeve përqendrohet në nivelet më të ulëta të kontributit të shitjeve online, me një peshë që nuk kalon 30% të të ardhurave totale.

Megjithatë, raporti evidenton edhe biznese për të cilat tregtia online ka një rol më të rëndësishëm. Rreth 11% e të anketuarve deklarojnë se 31–50% e të ardhurave vijnë nga shitjet përmes internetit. Në të njëjtën kohë, 2% raportojnë se kjo përqindje arrin në 51–70%, ndërsa 2% të tjera deklarojnë se më shumë se 70% e të ardhurave të kompanisë sigurohen online.

Këto shifra tregojnë se tregtia elektronike nuk ka të njëjtin rol në modelin e biznesit të të gjitha kompanive shqiptare. Për disa, ajo mbetet një mënyrë për të zgjeruar kanalet e shitjes dhe për të arritur klientë të rinj, ndërsa për një grup më të vogël është kthyer në një element me peshë të konsiderueshme në gjenerimin e të ardhurave. Për bizneset, prania në internet mund të krijojë mundësi për të zgjeruar tregun përtej zonës ku ushtrojnë aktivitetin, për të prezantuar më lehtë produktet dhe shërbimet dhe për të komunikuar me klientët.

 Sa fitojnë bizneset online? Për 77% të kompanive

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat