Europa Postuar më 13 October 2026, 11:17

Britania shtrëngon emigracionin - Ndryshimet prekin azilin, apelimet dhe ata pa leje qëndrimi

Nga Edel Strazimiri

Britania shtrëngon emigracionin - Ndryshimet prekin azilin, apelimet dhe

Qeveria britanike ka propozuar ndryshime në legjislacionin për imigracionin dhe azilin, me synimin për të forcuar kontrollet dhe për të përshpejtuar largimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Masat mund të prekin edhe shqiptarët pa leje qëndrimi, veçanërisht ata që kundërshtojnë largimin përmes kërkesave për azil ose lidhjeve familjare.

Një nga ndryshimet lidhet me mënyrën se si gjykatat do të shqyrtojnë të drejtën për jetë private dhe familjare, të garantuar nga Neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në vlerësim do të merren më shumë parasysh natyra e marrëdhënieve familjare, si dhe shpeshtësia dhe kohëzgjatja e kontakteve mes prindërve dhe fëmijëve.

Propozimi synon të parandalojë rastet kur lidhjet familjare përdoren për të forcuar një kërkesë për qëndrim, për shembull kur një prind rikthehet në banesën familjare pak para paraqitjes së kërkesës. Gjykatat dhe autoritetet do të shqyrtojnë gjithashtu kohën kur paraqiten provat dhe arsyet për vonesat, të cilat mund të ndikojnë në vlerësimin e kërkesës.

Një tjetër pjesë e reformës parashikon krijimin e një Autoriteti të Pavarur për Apelimet në Çështjet e Imigracionit, i njohur si IIAA. Ky institucion synon të përshpejtojë shqyrtimin e ankesave dhe të kufizojë përdorimin e kërkesave të përsëritura që mund të vonojnë procedurat e largimit.

Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në mbështetjen financiare dhe strehimin e azilkërkuesve. Personat që marrin ndihmë të financuar nga taksapaguesit mund të detyrohen të kontribuojnë në këto shpenzime, nëse kanë mundësi financiare. Pagesat do të përcaktohen sipas një sistemi të parashikuar nga autoritetet britanike.

Për shqiptarët që jetojnë në Britani pa dokumentet e nevojshme, është e rëndësishme të kuptojnë se propozimet nuk nënkuptojnë largimin automatik të çdo personi pa leje qëndrimi. Çdo kërkesë për azil ose qëndrim mbi bazën e lidhjeve familjare vlerësohet sipas rrethanave individuale. Meqë bëhet fjalë për ndryshime të propozuara, zbatimi konkret do të varet nga miratimi i tyre dhe rregullat përfundimtare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat