Shqipëria Postuar më 13 October 2026, 10:15

Llogaritë bankare në “lupë” - Rregulla të reja për bankat, Shqipëria forcon shkëmbimin automatik me BE-në 

Nga Elisabeta Dosku

Llogaritë bankare në “lupë” - Rregulla të reja

Shqipëria synon të forcojë shkëmbimin automatik të informacionit mbi llogaritë financiare me Bashkimin Evropian dhe juridiksionet e tjera, përmes një projektligji të ri që parashikon detyrime më të qarta raportimi, kontrolle më të zgjeruara dhe sanksione për institucionet financiare që nuk zbatojnë rregullat.

Projektligji hedhur për konsultim publike “Për shkëmbimin automatik të informacionit për llogaritë bankare”  i përbërë nga 25 nene, synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane dhe vijimin e zbatimit të Standardit të Përbashkët të Raportimit (CRS). 

Sipas propozimit, një nga risitë kryesore është përcaktimi më i qartë i detyrimeve për bankat institucionet financiare, të cilat duhet të identifikojnë llogaritë e raportueshme, të verifikojnë rezidencën tatimore të mbajtësve të llogarive dhe të raportojnë informacionin përkatës  çdo vit pranë Autoritetit Kompetent.

Një element i rëndësishëm është detyrimi për të paraqitur edhe një deklaratë për mospasjen e llogarive të raportueshme, kur institucioni, pas zbatimit të procedurave përkatëse të verifikimit, nuk ka identifikuar llogari të tilla. Kjo qasje synon të rrisë gjurmueshmërinë e procesit dhe të sigurojë që Autoriteti Kompetent të ketë informacion të qartë mbi përmbushjen e detyrimeve nga institucionet financiare.

Projektligji zgjeron gjithashtu kompetencat e Autoritetit Kompetent, i cili do të mund të kërkojë dokumente dhe shpjegime, të kryejë verifikime dhe të monitorojë zbatimin e detyrimeve. Mosraportimi, raportimi i pasaktë, mungesa e dokumentacionit apo pengimi i kontrolleve parashikohen si kundërvajtje administrative.

Një pjesë e rëndësishme e kuadrit të ri lidhet me mbrojtjen e të dhënave personale, ruajtjen e dokumentacionit dhe konfidencialitetin e informacionit financiar. Institucionet do të duhet të dokumentojnë procedurat e verifikimit dhe të zbatojnë masa për garantimin e sigurisë së të dhënave.

Për shkëmbimin me vendet anëtare të BE-së parashikohet përdorimi i sistemeve dhe formateve të standardizuara evropiane, ndërsa për juridiksionet e tjera do të zbatohen rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe CRS-së.

Ndryshimet synojnë të rrisin transparencën financiare, të përmirësojnë bashkëpunimin tatimor ndërkombëtar dhe të forcojnë kontrollin mbi përmbushjen e detyrimeve nga institucionet financiare. Zbatimi konkret do të varet nga miratimi i projektligjit, hyrja e tij në fuqi dhe aktet nënligjore që do të përcaktojnë procedurat përkatëse.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat