Shqipëria Postuar më 13 October 2026, 11:19

114 mln euro import energjie - Blerjet për periudhën korrik-tetor, kontraktohen 713 mijë MWh 

Nga Ola Mitre

114 mln euro import energjie - Blerjet për periudhën korrik-tetor,

Fatura e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për blerjen e energjisë elektrike gjatë vitit 2026 ka arritur në rreth 114 milionë euro, pa TVSH. Sipas të dhënave për sasitë dhe çmimet e kontraktuara, blerjet për periudhën korrik–tetor kapin një total prej rreth 713 mijë mWh. 

Çmimi mesatar i ponderuar, i përllogaritur në bazë të sasisë së energjisë në secilin lot, rezulton rreth 159.9 euro/ mWh. Ndërkohë, çmimet e kontraktuara variojnë nga 115 deri në 247.75 euro/mWh.

Vetëm për periudhën 14–25 tetor, KESH ka kontraktuar 113,510 mWh energji, me një vlerë prej rreth 27 mln euro, pa TVSH. Blerjet janë ndarë në tre lote, ndërsa çmimi mesatar i ponderuar i tyre arrin në rreth 238 euro/mWh. Pjesa më e madhe e kësaj sasie, prej 69,360 mWh, është siguruar me çmimin 247.75 euro për mWh.

Këto nivele janë dukshëm më të larta se çmimi i blerjes së parë për këtë vit. Për periudhën 1 korrik – 30 shtator, Korporata kontraktoi 331,200 mWh, me çmim 125.47 euro për mWh dhe faturë rreth 41.6 milionë euro, pa TVSH.

Pas kësaj blerjeje, sasitë shtesë të kontraktuara për periudha të ndryshme nga gushti deri në tetor e kanë rritur faturën me rreth 72.4 milionë euro, duke e çuar totalin pranë 114 milionë eurove.

Prodhimi vendas i energjisë elektrike mbetet i mbështetur kryesisht te hidrocentralet, çka e bën atë të varur nga reshjet. Ndonëse kapacitetet fotovoltaike janë në rritje, energjia diellore ende nuk e ka zbutur mjaftueshëm këtë varësi. Për pasojë, në periudhat e thata, blerjet e energjisë mbeten të nevojshme për të përmbushur kërkesën për furnizim. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat