Shqipëria Postuar më 13 October 2026, 10:16

Impiant i ri për Jalën - Zgjidhje për ujërat e ndotur, financim rreth 778 milionë lekë

Nga Ernilda Luzi

Impiant i ri për Jalën - Zgjidhje për ujërat e ndotur,

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë Sh.A. ka shpallur garën për projektin ndërtim-montim impiant i trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemi KUZ, Jalë, në një nga zonat më të frekuentuara turistike të Rivierës Shqiptare me një fond limit prej 778 milionë e 689 mijë lekësh, e cila synon të adresojë një nga nevojat kryesore infrastrukturore të zonës. 

Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti të ri kanalizimesh për grumbullimin e ujërave të ndotura, si dhe ngritjen e një impianti për trajtimin e tyre. Ndërhyrja synon të përmirësojë kushtet sanitare dhe të reduktojë rrezikun e ndotjes së mjedisit në një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike të bregdetit jonian.

Referuar dokumentit, Jala, një prej destinacioneve të njohura të bregdetit jonian, përballet me sfida në menaxhimin e ujërave të ndotura, veçanërisht gjatë sezonit veror. Rritja e numrit të turistëve, zgjerimi i strukturave akomoduese dhe ndërtimi i hoteleve, resorteve e vilave të pushimit kanë shtuar kërkesën për shërbime publike dhe infrastrukturë funksionale.

Sipas përshkrimit teknik të projektit, rrjeti ekzistues i kanalizimeve në zonë është i paplotë dhe i fragmentuar, ndërsa një pjesë e ndërtesave dhe bizneseve turistike mbështeten në sisteme individuale, si gropat septike dhe depozitat e mbyllura. Këto zgjidhje, sipas dokumentacionit, paraqesin kufizime në përballimin e flukseve të larta turistike.

Në dokumentacion theksohet se mungesa e një sistemi të centralizuar është rrezik për përfundimin e ujërave të patrajtuara në përrenj e më pas në det. Këto problematika përbëjnë një shqetësim jo vetëm për mbrojtjen e ekosistemit bregdetar, por edhe për cilësinë e ujërave të plazheve dhe zhvillimin afatgjatë të turizmit.

Investimi parashikon ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dhe të një impianti të dedikuar për trajtimin e ujërave të ndotura. Synimi është që ujërat e prodhuara nga banesat, njësitë akomoduese dhe aktivitetet ekonomike të mblidhen përmes një sistemi të integruar dhe të trajtohen përpara shkarkimit, në përputhje me kërkesat mjedisore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat