Shqipëria Postuar më 13 October 2026, 12:19

Shërbimet shqiptare drejt botës - BSH: Eksportet arrijnë 7.4 miliardë euro, më shumë se dyfishi i importeve

Nga Ledina Elezi

Shërbimet shqiptare drejt botës - BSH: Eksportet arrijnë 7.4

Shqipëria fiton më shumë të ardhura nga shërbimet që u ofron të huajve sesa shpenzon për shërbimet që blen nga jashtë. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 tregojnë se udhëtimet, transporti dhe shërbimet e biznesit janë ndër zërat kryesorë të shkëmbimeve me botën, ndërsa Kosova, Italia dhe Greqia janë partnerë të rëndësishëm tregtarë.

Në total, eksportet e shërbimeve arritën rreth 7.4 miliardë euro, ndërsa importet kapën afro 3.5 miliardë euro.

Zërin kryesor në eksportet e shërbimeve e përbëjnë udhëtimet, me gati 5 miliardë euro. Këtu përfshihen kryesisht shpenzimet e vizitorëve të huaj në Shqipëri, për shembull për akomodimin, ushqimin dhe shërbime të tjera gjatë qëndrimit të tyre. Kosova ishte tregu kryesor, e ndjekur nga Italia dhe Greqia.

Një tjetër zë i rëndësishëm është transporti, me rreth 792 milionë euro eksporte. Në këtë kategori, Kosova zë vendin e parë, e ndjekur nga Greqia dhe Italia.

Peshë kanë edhe shërbimet e përpunimit të materialeve që u përkasin të tjerëve, ndërkohë, shërbimet e tjera të biznesit, si dhe ato të telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit, përbëjnë gjithashtu të ardhura nga tregjet e huaja.

Në anën tjetër, edhe në importet e shërbimeve kryesojnë udhëtimet, me rreth 2.7 miliardë euro. Kjo do të thotë se shqiptarët dhe bizneset shpenzojnë shuma të konsiderueshme për udhëtime dhe shërbime jashtë vendit. Greqia është partneri kryesor në këtë kategori, e ndjekur nga Italia dhe Gjermania.

Pas udhëtimeve, renditet transporti, me rreth 365 milionë euro importe. Italia kryeson, ndërsa pas saj vijnë Kosova dhe Turqia.

Për sa i përket shërbimeve të tjera, Shqipëria importon edhe shërbime sigurimi e pensionesh, teknologjie dhe shërbime biznesi. 

Në total, Italia dhe Kosova janë ndër partnerët kryesorë të Shqipërisë në eksportet e shërbimeve, ndërsa në importe spikasin Greqia dhe Italia. Bilanci tregon se vendi arkëton nga jashtë më shumë të ardhura për shërbimet që ofron sesa shpenzon për ato që merr nga tregjet ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat