Protestat në Tiranë, dëmtime në institucione dhe biznese - Reagojnë drejtuesit

Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave dhe Bashkia e Tiranës janë ndër institucionet e prekura nga incidentet gjatë dy ditëve të protestave në kryeqytet. Tensione dhe sulme janë regjistruar edhe pranë Kryeministrisë, ndërsa dëmtime janë raportuar në Piramidën e Tiranës, në godina bankare, subjekte financiare dhe biznese private
Gjatë protestës së 14 tetorit, Ministria e Arsimit u godit me gurë dhe mjete piroteknike, ndërsa në disa ambiente të godinës u regjistruan flakë. Incidentet u shtrinë më pas edhe në institucione të tjera. Në Ministrinë e Ekonomisë u raportua hyrja me forcë e disa protestuesve, nxjerrja e orendive dhe djegia e tyre.
Përveç godinave shtetërore, gjatë protestave janë dëmtuar xhama, kamera sigurie, semaforë, tabela reklamuese dhe elementë të tjerë të infrastrukturës publike. Bilanci i plotë financiar i dëmeve ende nuk është bërë publik.
Protestat nisën me kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në universitete, uljen e kostove të studimit dhe më shumë mundësi punësimi, ndërsa pjesëmarrësit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e qeverisë. Tubimet janë shoqëruar me përplasje mes grupeve të protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe me ndërhyrjen e policisë për shpërndarjen e turmave.
Në këtë situatë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar duke bërë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Ajo ka sjellë në vëmendje pasojat e krizave të së kaluarës, duke theksuar se sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimi i pronës publike e private kanë pasur kosto të mëdha për vendin.
"Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi", shkruan Koçiu.
Sipas zëvendëskryeministres, pamjet e dhunës dhe përplasjeve në Tiranë tregojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi. Ajo thekson se institucionet janë pasuri publike, bizneset përfaqësojnë punën dhe investimet e qytetarëve, ndërsa siguria është një e drejtë e të gjithëve.
"Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur", përfundon Koçiu.
Ndaj incidenteve ka reaguar edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas dëmtimeve të regjistruara në godinën e institucionit që ajo drejton.
"Djegia dhe shkatërrimi i ambienteve institucionale përbëjnë akte të papranueshme, që përtej dëmeve materiale, krijojnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e personave që ndodhen në godinë, si dhe cenojnë funksionimin normal të institucionit", shprehet Ibrahimaj.
Ministrja ka kërkuar shmangien e veprimeve që mund të përshkallëzojnë situatën, duke nënvizuar se dëmtimi i institucioneve publike prek të gjithë qytetarët.
Ndërkohë, krahas dëmtimeve materiale, protestat kanë ngritur edhe shqetësime për mënyrën e ndërhyrjes së policisë. Delegacioni i Bashkimit Europian ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe respektimin e së drejtës së tubimit paqësor, duke kërkuar njëkohësisht që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia të hetohen dhe ndërhyrjet e saj të jenë proporcionale.
Ndërkaq, në një reagim të gjatë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro dënon dhunën dhe djegien e katit të parë të ministrisë, duke u bërë thirrje studentëve të shmangin aktet e shkatërrimit dhe t’i shprehin kërkesat përmes dialogut.
"Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera.
Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e Fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun.
Si një universitare që kam protestuar vetë sa herë e kerkonte nevoja për të përdorur këtë të drejtë demokratike të fituar me sakrifica, kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama, protesta qytetare studentore dhe
-dhuna ndaj godinave dhe pronës publike;
-dhuna ndaj vendit të punës të punonjësve publike, aq më shumë kundër punonjësve të Arsimit, nuk kanë lidhje me njera tjetrën!
Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo.
Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve te fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.
Shqetësimet i dëgjojmë dhe propozimet i shqyrtojmë bashkë, pa paragjykime dhe pa i kthyer mospajtimet në përplasje.
Aktet e sotme të shkatërrimit nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët.
Përtej investimeve që janë kryer e do të vijojnë në çdo universitet të vendit,
-Janë çdo vit mbi 12 mijë studentë nga familjet në vështirësi që përfitojnë mbështetje financiare për studimet e tyre;
-Mbi 40 mijë studentë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit;
-Qindra studentë ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare për të cilat vendi ka nevojë përfitojnë bursa dhe mbështetje mujore në masën e pagës minimale prej 500 euro!
Jam e bindur se studentët nuk mund ta bëjnë kurrësesi shkatërrimin e institucioneve të tyre dhe të pronës publike e asaj private.
Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre.
Në një institucion ku normalisht mund të hyhet për dialog nga dera, nuk ka nevojë të thyhen xhamat dhe të digjen zyrat.
Pavarësisht se kati i parë i Ministrisë së Arsimit është djegur, duke dëmtuar jo vetëm bazën materiale por edhe dokumente, duke mos qenë i përdorshëm deri sa të riparohet, stafi i Ministrisë së Arsimit është në krye të detyrës dhe Ministria e Arsimit do t’i ketë dyert e hapura si gjithmonë, sepse institucionet krijohen nga njerëzit dhe njerëzit dinë të flasin e të komunikojnë dhe kush më shumë se studentët dhe arsimtarët mund ta bëjnë këtë.
Hekurat që thyejnë xhama nuk zgjidhin asnjë problem, ashtu siç gurët e trotuareve nuk ndërtojnë të ardhmen; atë e ndërtojmë në auditorë, me vizion, me dije, me argumente dhe me përgjegjësi.
Të dashur studentë, kujdesuni për veten dhe mos lejoni që askush t'ju shtyjë drejt akteve të dhunës", shkruan Kumbaro.
Një ndër insitucionet e shënjestruara ështe edhe Kryesia e Kuvendit. Kryetari Niko Peleshi, dënon sulmet ndaj Kuvendit dhe institucioneve publike, duke u bërë thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë.
"Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme.
Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë.
U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Axhenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria", shkruan Peleshi
Protestat e dhunshme, reagon Presidenti Begaj: Thirrje për vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka reaguar lidhur me protestat e dhunshme të këtyre ditëve në kryeqytet. Në reagimin e tij, Begaj bën thirrje për......
Piramida, 12 programe të reja - Fokusi, aftësitë digjitale e përgatitja e të rinjve për punë
Nga programimi dhe dizajni te zhvillimi i ideve të biznesit, 12 programe të edukimit dhe sipërmarrjes u prezantuan në Festivalin e Piramidës, Tech......
Kanalizime për Tiranën e Madhe - Riaktivizohet projekti 110 mln euro i financuar nga qeveria japoneze për ujërat e ndotur
Projekti 110 mln euro i financuar nga qeveria japoneze për trajtimin e ujërave të ndotura të Tiranës po riaktivizohet. Nw mbledhjen e fundit, qeveria ka......
Model nordik për energjinë/ Nordic-Albania Green Energy Forum, në fokus investimet dhe reformat e sektorit
Investimet në energjinë diellore dhe përshtatja e legjislacionit me zhvillimet e reja të tregut ishin në fokus të Nordic-Albania Green Energy Forum 2026, që u......
Vendimet e Qeverisë/ Sadleva Bodo emërohet Drejtoreshë e Përgjithshme e Burgjeve
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime dhe projektligje në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë, më 14 tetor 2026. Ndër vendimet e miratuara është......
BE shpreh shqetësim për protestën në Tiranë: Kërkon hetim për pretendimet ndaj policisë
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar për përshkallëzimin e protestës së studentëve në Tiranë, duke kërkuar uljen e tensioneve dhe hetimin......
Dëmet në banka, biznese dhe institucione, Policia: 16 të arrestuar dhe 49 të proceduar penalisht
Protesta e 13 tetorit në Tiranë, e shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ka lënë pas dëme materiale në institucione shtetërore,......
Policia e Shtetit apel protestuesve: Ndaloni dhunën!
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë të ruajnë qetësinë, të shmangin aktet e dhunës dhe të distancohen nga personat e maskuar, të......

