Shqipëria Postuar më 14 October 2026, 13:05

Dëmet në banka, biznese dhe institucione, Policia: 16 të arrestuar dhe 49 të proceduar penalisht 

Nga Scan TV

Dëmet në banka, biznese dhe institucione, Policia: 16 të

Protesta e 13 tetorit në Tiranë, e shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ka lënë pas dëme materiale në institucione shtetërore, subjekte financiare dhe infrastrukturën publike. Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 16 personave dhe procedimin penal të 49 të tjerëve, ndërsa gjashtë efektivë mbetën të lënduar.

Sipas autoriteteve, gjatë tubimit përpara Ministrisë së Arsimit, grupe protestuesish të maskuar hodhën gurë, kapsolla dhe kokteje molotov, duke shkaktuar dëmtime në disa godina dhe aktivitete ekonomike.

Mes objekteve të goditura ishin edhe institucione të sektorit financiar. Policia raporton për dëmtimin e bankomateve, thyerjen dhe djegien e sendeve brenda një institucioni mikrofinanciar, si dhe dëmtimin e fasadës së xhamit të një banke të nivelit të dytë.

Dëme materiale u shkaktuan gjithashtu në godinën e Ministrisë së Arsimit, në rrethimet metalike, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore. Në rrugën “Ded Gjon Luli”, sipas Policisë, u thye një derë e Bashkisë së Tiranës dhe iu vu zjarri katit të parë të godinës.

Ende nuk ka një vlerësim zyrtar financiar të dëmeve të shkaktuara në pronën publike dhe private, ndërsa incidentet kanë prekur si institucionet shtetërore, ashtu edhe subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në kryeqytet.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës po dokumenton veprimet e kundërligjshme, ndërsa të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale, mes të cilave shkatërrimi i pronës, goditja për shkak të detyrës dhe prishja e rendit publik.

Policia njofton se hetimet do të vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incidentet e 13 tetorit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat