Shqipëria Postuar më 14 October 2026, 12:31

Projekti “TOKA” për bujqësinë - Presidenti Begaj takon Michael Granoff, kontribut në zhvillimin e sektorit

Nga Elisabeta Dosku

Projekti “TOKA” për bujqësinë - Presidenti Begaj

Modernizimi i bujqësisë shqiptare, rritja e produktivitetit dhe forcimi i konkurrueshmërisë së prodhimeve vendase ishin në fokus të takimit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, me Michael Granoff dhe anëtarët e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), në Pallatin e Brigadave.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi projektin “TOKA”, i cili synon transformimin e sektorit bujqësor përmes rritjes së produktivitetit, forcimin e sigurisë ushqimore dhe përafrimit të praktikave bujqësore shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian. Zhvillimi i këtij sektori mbetet i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë vendase, dhe krijimin e mundësive të reja për fermerët.

Gjatë takimit, kreu i shtetit theksoi gjithashtu kontributin e AADF-së në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rëndësinë e vijimit të projekteve që synojnë përmirësimin e standardeve të punës dhe forcimin e kapaciteteve profesionale e institucionale.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit lidhet me investimin në kapitalin njerëzor, përmes bursave, praktikave profesionale, bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe programeve të aftësimit në Inteligjencën Artificiale. Këto nisma synojnë të rrisin mundësitë e punësimit dhe zhvillimit profesional për të rinjtë, si dhe të forcojnë lidhjet me Diasporën.

Në takim u vlerësua gjithashtu kontributi i fondacionit në fushën e sigurisë kibernetike, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, promovimit të turizmit dhe zhvillimit ekonomik lokal. Në këtë kuadër, u veçuan projektet që lidhen me Butrintin dhe lagjen “Kala” të Elbasanit, si iniciativa që ndërthurin mbrojtjen e trashëgimisë me potencialin për zhvillimin ekonomik të zonave.

Projektet e AADF-së në bujqësi, arsim, turizëm dhe zhvillimin e aftësive profesionale u evidentuan si pjesë e kontributit të fondacionit në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja për Shqipërinë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat