Analiza Postuar më 13 October 2026, 14:48

Sa banorë prek reforma? 15 bashkitë që shkrihen kanë rreth 9.4% të popullsisë së Shqipërisë

Nga Xhorxhina Deda

Sa banorë prek reforma? 15 bashkitë që shkrihen kanë rreth

Shqipëria do të ketë 46 bashki, nga 61 që ka aktualisht. Reforma e re administrativo-territoriale, e miratuar nga Kuvendi më 9 tetor, parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi të tjera të pushtetit vendor. Ndryshimet do të prekin hartën administrative të vendit, duke zgjeruar territoret dhe popullsinë që do të administrojnë bashkitë pritëse.

Sipas ndarjes së re, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosi me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Dimali dhe Poliçani i bashkohen Beratit, ndërsa Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin. Prrenjasi kalon në bashkinë e Librazhdit, Patosi bashkohet me Fierin dhe Divjaka me Lushnjën. Ndryshimet përfshijnë gjithashtu Selenicën, që bashkohet me Vlorën, Maliqin me Korçën, Këlcyrën me Përmetin, Memaliajn me Tepelenën dhe Libohovën me Gjirokastrën.

Por sa banorë preken nga kjo ndarje e re? Një analizë e të dhënave referuar Censit, të publikuara nga Instituti i Statistikave, tregon se 15 bashkitë që shkrihen kanë gjithsej 225,008 banorë, ose rreth 9.4% të popullsisë së Shqipërisë. Këta banorë do t'u përkasin administrativisht bashkive të tjera, pasi njësitë e tyre vendore humbasin statusin e pavarur.

Megjithatë, shtrirja demografike e reformës është më e madhe. Duke përfshirë edhe popullsinë e 13 bashkive pritëse, rezulton se 826,838 banorë, ose 34.4% e popullsisë së vendit, jetojnë në territoret që përfshihen në bashkimet administrative. 

Elbasani është bashkia që përfiton shtesën më të madhe të popullsisë. Nga bashkimi me Cërrikun dhe Belshin, asaj i shtohen 42,286 banorë, duke arritur në 157,387 banorë. Pas tij renditet Berati, i cili shton 36,897 banorë nga bashkimi me Dimalin dhe Poliçanin, ndërsa Korça fiton 31,008 banorë nga bashkimi me Maliqin.

Në terma përqindjeje, një nga ndryshimet më të mëdha regjistrohet në Tepelenë. Bashkimi me Memaliajn pothuajse dyfishon popullsinë e saj, nga 6,761 në 13,339 banorë, ose me 97.3%. Ndërkohë, Librazhdi e rrit popullsinë me 80.5% pas bashkimit me Prrenjasin, ndërsa Puka me 78.4% pas bashkimit me Fushë-Arrëzin.

Ndarja e re territoriale pritet të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke ndryshuar organizimin e administratës vendore dhe territorin që do të mbulojnë bashkitë. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat