Analiza Postuar më 14 October 2026, 11:10

Pengesat për biznesin/ Nga tatimet te tenderët, ku perceptohen më shpesh pagesat nën dorë?

Nga Xhorxhina Deda

Pengesat për biznesin/ Nga tatimet te tenderët, ku perceptohen më

Inspektimet shtetërore, tatimet dhe tenderët publikë janë tri fushat ku bizneset shqiptare perceptojnë më shpesh mundësinë e pagesave nën dorë. Më shumë se gjysma e sipërmarrjeve të anketuara përmendin kontrollet shtetërore, duke nxjerrë në pah shqetësimet për korrupsionin në marrëdhëniet e biznesit me administratën publike.

Sipas raportit “Barometrit të Ballkanit”, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, 57% e bizneseve shqiptare përmendin inspektimet shtetërore si procedura ku besojnë se një biznes i ngjashëm mund të kryejë pagesa ose dhurata jozyrtare të paktën një herë në vit.

Në vendin e dytë renditen tatimet dhe doganat, me 51%, të ndjekura nga tenderët publikë, me 47%. Ndërkohë, 32% përmendin marrëdhëniet me gjykatat, 24% ndikimin në përmbajtjen e ligjeve dhe rregullave, ndërsa 22% lidhjen apo ruajtjen e shërbimeve publike, si energjia dhe uji.

Por sa e përhapur perceptohet kjo praktikë në përgjithësi? Të dhënat tregojnë se 50% e bizneseve shqiptare pajtohen me pohimin se pagesat ose dhuratat jozyrtare janë praktikë e zakonshme në sektorin ku veprojnë.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, 47% e të anketuarve në Shqipëri e konsiderojnë atë efektive, ndërsa 30% nuk pajtohen me këtë vlerësim.

Krahasimi me Ballkanin Perëndimor nxjerr në pah diferenca të konsiderueshme. Në nivel rajonal, inspektimet shtetërore përmenden nga 46% e bizneseve, tatimet dhe doganat nga 29%, ndërsa tenderët publikë nga 27%.

Kështu, Shqipëria qëndron 11 pikë përqindjeje mbi mesataren rajonale për inspektimet, 22 pikë për tatimet dhe doganat dhe 20 pikë për tenderët publikë.

Megjithatë, rezultatet pasqyrojnë perceptimet e sipërmarrjeve dhe nuk dëshmojnë se këto përqindje biznesesh kanë paguar realisht ryshfet.

Pengesat për biznesin/ Nga tatimet te tenderët, ku perceptohen më

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat