Kosova Postuar më 14 October 2026, 10:16

BQK-FMN forcojnë bashkëpunimin - Në fokus stabiliteti financiar dhe reformat strategjike në Kosovë

Nga Edel Strazimiri
BQK-FMN forcojnë bashkëpunimin - Në fokus stabiliteti financiar

 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, është takuar me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, për të diskutuar stabilitetin financiar, reformat strategjike dhe forcimin e bashkëpunimit institucional.

Takimi u zhvillua në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore, ku u trajtuan zhvillimet e sektorit financiar në Kosovë dhe progresi në zbatimin e reformave.

Gjatë takimit, Ismaili theksoi se sektori financiar i Kosovës vazhdon të karakterizohet nga stabiliteti, ndërsa sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid. Ai nënvizoi se Banka Qendrore po punon për forcimin e mbikëqyrjes financiare, përmirësimin e monitorimit të rreziqeve dhe përafrimin e rregullave me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Një tjetër temë e diskutimit ishte zbatimi i Planit Strategjik të BQK-së për periudhën 2024–2028, si dhe rekomandimet e dala nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së. Prioritetet përfshijnë menaxhimin e krizave financiare, forcimin e qeverisjes institucionale dhe zhvillimin e kapaciteteve analitike e mbikëqyrëse.

Guvernatori Ismaili vlerësoi gjithashtu partneritetin afatgjatë me FMN-në dhe rëndësinë e vazhdimit të asistencës teknike për zbatimin e reformave dhe rritjen e ekspertizës institucionale.

Në fokus ishte edhe themelimi i Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore, SEETAC. Sipas BQK-së, Kosova ka konfirmuar dhe përmbushur kontributin e saj në këtë iniciativë, e cila synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe bashkëpunimin rajonal. Ismaili konfirmoi gjithashtu pjesëmarrjen në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të qendrës.

Në përfundim, të dyja palët riafirmuan angazhimin për thellimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e njohurive dhe vazhdimin e asistencës teknike, me synimin për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat