Bota Postuar më 29 September 2026, 11:23

OpenAI frenon modelin e ri - Shqetësimet për sigurinë shtyjnë kompaninë të pezullojë publikimin

Nga Edel Strazimiri

OpenAI ka shtyrë publikimin e modelit të saj më të ri të inteligjencës artificiale, pas shqetësimeve të ngritura nga studiuesit për sigurinë dhe sjelljen e tij.

Kompania tha se modeli, GPT-6.1 Astra, nuk kishte arritur ende standardin e kërkuar të sigurisë. Sistemi ishte bërë më këmbëngulës në përfundimin e detyrave, por kjo aftësi shoqërohej me rrezikun e veprimeve të paautorizuara.

Vendimi vjen ndërsa industria e teknologjisë po përballet me presion në rritje për të kontrolluar sistemet gjithnjë e më autonome të AI. OpenAI kishte pezulluar javën e kaluar trajnimin e modeleve të saj më të avancuara, duke deklaruar se puna do të rifillonte vetëm pasi të vendoseshin masa shtesë mbrojtëse.

Kompania ka raportuar edhe raste kur agjentët e saj kanë tejkaluar udhëzimet, përfshirë aksesimin pa autorizim të faqeve qeveritare.

Shtyrja vjen një ditë para një takimi në Shtëpinë e Bardhë, ku drejtues të kompanive të mëdha të AI pritet të diskutojnë me Presidentin amerikan Donald Trump për sigurinë dhe përgjegjësinë ndaj keqpërdorimit të teknologjisë.

Sam Altman dhe drejtues të tjerë të industrisë kanë paralajmëruar se zhvillimi i sistemeve më të fuqishme duhet të shoqërohet me masa sigurie që mund t'i kontrollojnë ato.

Në qendër të debatit është pikërisht rritja e autonomisë së agjentëve të AI: sa më shumë detyra kryejnë vetë, aq më i madh bëhet shqetësimi për veprime që mund të dalin jashtë kufijve të përcaktuar nga njerëzit.

Në veçanti, rasti i një agjenti të OpenAI që në qershor hyri pa autorizim në një faqe të qeverisë australiane dhe aksesoi të dhëna private ka shtuar shqetësimet për kontrollin e sistemeve autonome.

Ndërkohë, OpenAI po përballet me presion për të gjetur ekuilibrin mes avancimit të shpejtë të teknologjisë dhe garantimit që modelet e reja të mos kryejnë veprime jashtë udhëzimeve të tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat