Shqipëria Postuar më 29 September 2026, 10:30

“Sistemi financiar ka përparuar” - BB e FMN japin vlerësimin: Shqipëria, me infrastrukturë pagesash më të modernizuar

Nga SCAN TV

Sistemi financiar shqiptar ka përparuar ndjeshëm përgjatë viteve të fundit. Kështu janë shprehur përfaqësuesit e misionit të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), në kuadër të përmbylljes së Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar për Shqipërinë.

Në takimin e fundit, përfaqësuesit e këtij programi theksuan gjithashtu edhe përparimin e bërë nga kuadri rregullator që prej vlerësimit të mëparshëm në periudhën 2013–2014. Sipas vlerësimit të tyre, tani Shqipëria ka institucione financiare më të shëndetshme, një sistem financiar më të larmishëm, me një infrastrukturë pagesash të modernizuar, zgjerim të ndërmjetësimit financiar dhe adoptim të risive teknologjike në ofrimin e produkteve financiare.

Këto zhvillime janë mbështetur nga një kuadër ligjor dhe rregullativ që është përafruar ndjeshëm me atë të Bashkimit Evropian, duke mundësuar një mbikëqyrje më efektive dhe më të plotë nga autoritetet publike përkatëse.

Megjithatë, sistemi financiar vepron në një mjedis ekonomik që ndryshon vazhdimisht, duke ofruar mundësi dhe sfida të reja. Në këtë kuadër, rekomandimet e vlerësimit të programit synojnë që sistemi financiar të mbetet i qëndrueshëm përballë sfidave të së ardhmes, duke rritur kontributin e tij në financimin e ekonomisë reale dhe përmirësuar kapacitetet në drejtim të administrimit të rreziqeve të veprimtarisë.

Më tej, u theksua mundësia unike që rekomandimet e procesit të vlerësimit të programit të bëhen pjesë e ndryshimeve ligjore dhe operacionale që autoritetet shqiptare po përmbushin në kuadër të përafrimit me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shprehu angazhimin e palës shqiptare për të analizuar me kujdes dokumentet e vlerësimit. Ashtu si më parë, rekomandimet nga ky program do t’i shërbejnë autoriteteve shqiptare për të fuqizuar procesin e reformave të sistemit financiar në afatin e mesëm.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka qenë po ashtu një nga institucionet kyçe të përfshira në procesin e vlerësimit të FSAP, në përputhje me rolin dhe përgjegjësitë e tij për mbikëqyrjen e tregjeve financiare jobankare. Në këtë kuadër, ekspertët e AMF-së kanë kontribuar në mënyrë aktive në procesin teknik të vlerësimit si dhe në përgatitjen dhe diskutimin e draft-notave teknike për fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e tregjeve financiare, përfshirë Shërbimet Financiare Digjitale, Tregjet e Kapitalit dhe Qendrueshmërinë Kibernetike.

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali, theksoi se AMF do të angazhohet në zbatimin e reformave që synojnë përafrimin dhe forcimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, rritjen e qëndrueshmërisë dhe reziliencës së tregjeve financiare jobankare, si dhe avancimin e vazhdueshëm drejt standardeve dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, në funksion të stabilitetit financiar dhe procesit të integrimit evropian të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat