Shqipëria Postuar më 29 September 2026, 14:52

Çmimet e ushqimeve, cilin model po zgjedh Shqipëria? - Nga transparenca te çmimet tavan, si po ndërhyjnë qeveritë në Europë

Nga SCAN TV

Rritja e çmimeve të ushqimeve ka detyruar disa qeveri europiane të ndërhyjnë në treg, por jo të gjitha kanë zgjedhur të njëjtën rrugë.

Shqipëria ka zgjedhur modelin e transparencës. Përmes platformës “Pasqyra e Çmimeve”, konsumatorët do të kenë mundësi të krahasojnë çmimet e produkteve mes pikave të ndryshme të shitjes. Synimi është që publikimi i çmimeve të rrisë konkurrencën mes marketeve dhe të ushtrojë presion për uljen e tyre.

Ky model i afrohet më shumë atij të Bullgarisë, por Sofja ka shkuar një hap më tej. Përveç publikimit dhe krahasimit të çmimeve, autoritetet bullgare kanë forcuar kontrollin mbi rritjet e pajustifikuara, duke u kërkuar tregtarëve të argumentojnë ekonomikisht ndryshimet e çmimeve.

Vende të tjera kanë zgjedhur ndërhyrje edhe më të forta.

Rumania ka kufizuar marzhet tregtare për një grup të gjerë ushqimesh bazë, nga buka dhe qumështi te vezët, vaji, mishi, frutat dhe perimet.

Hungaria ka aplikuar kufizime mbi marzhet e shitjes me pakicë për kategori ushqimore, ndërsa Kroacia ka shkuar deri te vendosja e çmimeve maksimale për produkte të caktuara.

Edhe Greqia ka përdorur masa për kontrollin e marzheve dhe ka ushtruar presion mbi supermarketet dhe furnitorët për reduktimin e çmimeve.

Pra, Europa po eksperimenton me disa modele, nga transparenca dhe krahasimi i çmimeve, te kontrolli i marzheve dhe deri te vendosja e çmimeve tavan.

Shqipëria ndodhet aktualisht në skajin më të butë të kësaj shkalle. Por paralelisht me platformën e re, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të produkteve të shportës në supermarketet kryesore.

Nëse transparenca nuk do të prodhojë më shumë konkurrencë dhe çmime më të ulëta, pyetja që mbetet është nëse Shqipëria do të ndalet te krahasimi i çmimeve, apo do të ndjekë vendet që kanë kaluar në masa më të forta ndaj tregtarëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat