Shqipëria Postuar më 29 September 2026, 11:27

Nisin pagesat për fermerët - Skemat/ Autorizohen mbi 6.600 transaksione, kalojnë në llogaritë bankare

Nga Elisabeta Dosku

Fermerët përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026, së shpejti do të marrin pagesat në llogaritë e tyre bankare.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural bën me dije se deri më tani janë autorizuar mbi 6.609 pagesa, të cilat janë kaluar në Thesarin e Shtetit dhe pritet të depozitohen së shpejti në llogaritë bankare të përfituesve, ndërsa puna vazhdon për përmbylljen e plotë të këtij procesi.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka shënuar një interes të lartë nga fermerët në të gjithë vendin, duke regjistruar gjithsej 42.728 aplikime, ndërsa vlera e kërkesave ka arritur në 7,2 miliardë lekë, nga 5,2 miliardë lekë që është fondi i vënë në dispozicion.

Qarku i Fierit kryeson me numrin më të lartë të fermerëve aplikues, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora — qarqe që vijojnë të mbajnë peshën kryesore të prodhimit në vend.

Rreth 21 mijë blegtorë dhe bletarë u kualifikuan në fazën e parë, ndërsa fermerëve u la kohë për të plotësuar dokumentacionin shtesë të kërkuar. Numri më i lartë i përfituesve është te tufat e të imtave dhe te mbarështimi i bletarisë. Më konkretisht, janë 7.234 aplikime të kualifikuara për bagëti të imta, ndjekur nga 7 mijë fitues në bletari, më pas 6.661 aplikime të kualifikuara për tufat e lopëve dhe 269 aplikime të kualifikuara për mbarështimin e dosave.

Këtë vit, Skema Kombëtare u organizua në 12 masa mbështetëse të ndara në 9 masa direkte dhe 3 masa investimesh, duke ofruar mundësi financimi në sektorë të ndryshëm. Masat direkte përfshijnë: Tufën bazë të gjedhit;Tufën bazë të të imtave; Bletarinë; Dosat dhe paradosat; Kontrollin biologjik; Fermat organike; Certifikimin Global G.A.P.; Mbështetjen për sipërfaqet e mbjella; Ripopullimin e ujërave të brendshme

Ndërsa 3 masat e investimeve përfshijnë: Mbështetjen e fermerëve të rinj deri në 40 vjeç: Ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve: Mekanizimin e bujqësisë.

Këto masa synojnë të mbështesin fermerët në uljen e kostove të prodhimit, rritjen e cilësisë së produkteve, përmirësimin e standardeve të prodhimit dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme bujqësore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat