Scan Life Postuar më 29 September 2026, 13:10

Stuhitë po ndryshojnë rregullat - Ngrohja e planetit rrit fuqinë e tyre dhe zonat në rrezik

Nga Edel Strazimiri

Ndryshimet klimatike po i bëjnë stuhitë më intensive dhe po zgjerojnë zonat që mund të preken prej tyre. Sipas raportit të fundit WorldRiskReport, rritja e temperaturave të atmosferës dhe oqeaneve u jep stuhive më shumë energji, duke shtuar fuqinë e erërave dhe reshjeve.

Stuhitë shkaktojnë dëmet më të mëdha ekonomike mes ngjarjeve ekstreme natyrore, ndërsa vendet me ekonomi më të dobëta përballen me pasoja më të rënda. Përveç erërave të forta, rritja e nivelit të detit po shton rrezikun nga përmbytjet, erozioni dhe rrëshqitjet e dheut në zonat bregdetare.

Raporti vlerëson se Filipinet, Meksika, Madagaskari, Mauritius, Japonia, Kina, Mikronezia, Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Australia janë 10 vendet me ekspozimin më të madh ndaj stuhive.

Në Europë, Portugalia dhe Ukraina renditen ndër vendet me ekspozimin dhe cenueshmërinë më të lartë ndaj stuhive. Ndërkohë, në indeksin e përgjithshëm të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, Shqipëria renditet në vendin e 81-të nga 193 shtete.

Ekspertët theksojnë se edhe Europa veriore po përballet me ndryshime, me rritje të stuhive që lidhen me dimra më të lagësht. Ndërsa qytetet bregdetare dhe ishujt konsiderohen veçanërisht të ekspozuar ndaj pasojave të motit ekstrem.

Një nga shqetësimet kryesore është intensifikimi i shpejtë i stuhive, që mund ta bëjë më të vështirë parashikimin dhe evakuimin në kohë. Sistemet e paralajmërimit duhet të marrin parasysh jo vetëm erën, por edhe përmbytjet, reshjet, rrufetë dhe valët e stuhisë.

Raporti kërkon investime në infrastrukturë më rezistente, sisteme më të avancuara paralajmërimi dhe përgatitje më të mirë të komuniteteve. Sipas ekspertëve, reduktimi i emetimeve mbetet gjithashtu një faktor kyç për të ngadalësuar intensifikimin e mëtejshëm të stuhive.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat