Shqipëria Postuar më 29 September 2026, 12:26

Leku “kalon” euron në banka - BSH: Depozitat në paranë e gjerë arrijnë 1.57 trilionë. Dominon monedha shqiptare

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët po mbajnë gjithnjë e më shumë para në banka. Qoftë në formën e depozitave të transferueshme, të atyre me afat ose pa afat, paraja në banka është shtuar ndjeshëm në 6 muajt e fundit. 

Këtë e konfirmojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të cilat tregojnë se depozitat e përfshira në paranë e gjerë kanë arritur në 1.57 trilionë lekë në gusht, duke u rritur me 1% në krahasim me korrikun dhe 9.7% në krahasim me gushtin e vitit të kaluar. 

Rreth 50.02% e depozitave janë në monedhën vendase dhe 49.98% në valutë. Pra kemi një ndarje thuajse gjysëm për gjysëm të parave në banka, me depozitat në lekë të cilat i tejkalojnë me vetëm 0.088% ato në monedha të huaja. Historikisht, kanë qenë kursimet në valutë që kanë dominuar ato në lekë, por për herë të parë që nga korriku, qytetarët dhe bizneset po mbajnë më shumë lekë në banka sesa euro apo monedha të tjera të huaja. 

Faktorët që mund të kenë ndikuar janë kursi i këmbimit, normat e interesit apo ndryshimi i vlerës së të ardhurave. Normat e interesit për depozitat në euro janë më të pafavorshme se ato në lekë, një arsye më tepër për të zgjedhur depozitat në monedhën vendase. Ndryshimi i vlerës së të ardhurave konsiderohet gjithashtu faktor kryesor në rritjen e depozitave në lekë. Nga ana tjetër, nëse dikush i ka të ardhurat dhe shpenzimet në lekë, dhe vendos që t’i ruajë në një depozitë në monedhën shqiptare, nuk preket nga zhvlerësimi i euros. Por dikush që ka të ardhura në euro dhe shpenzime në lekë, humbet gjatë procesit të konvertimit të monedhës. 

Në depozitat e transferueshme gjenden më shumë para se në llojet e tjera të depozitave. Depozitat e transferueshme përfshijnë llogaritë rrjedhëse të qytetarëve dhe bizneseve, pra llogarinë ku kalon paga apo të ardhura të tjera, të cilën  e përdorim për të tërhequr para në bankomate apo për të kryer pagesa në mënyrë të menjëhershme. Statistikat flasin për një rritje me 1% në krahasim me korrikun.

Pas tyre vijnë depozitat me afat me një vlerë prej 506 miliardë lekësh dhe depozitat pa afat me 196 miliardë lekë. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat