FunData Postuar më 29 September 2026, 12:40

Publik, apo privat? Në rrethe, shkollat private kanë më shumë nxënës për mësues

Nga Eldiona Serani

nxenes.jpg

Raporti i nxënësve për një mësues ndryshon ndjeshëm në varësi të llojit të shkollës dhe qarkut, duke sjellë një panoramë të ndryshme të kushteve në të cilat zhvillohet mësimi në arsimin fillor në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT për vitin shkollor 2024-25 tregojnë se në nivel kombëtar diferenca mes shkollave publike dhe private për numrin e nxënësve për mësues në arsimin fillor është e lehtë. Megjithatë, kur të dhënat analizohen sipas qarqeve, ndryshimet bëhen shumë më të dukshme.

Në Tiranë, shkollat private kanë mesatarisht 14.7 nxënës për një mësues, ndërsa në shkollat publike ky raport shkon në 20.1 nxënës për mësues. 

Një situatë e ngjashme vërehet edhe në Durrës. Shkollat private kanë 14.8 nxënës për mësues, ndërsa ato publike 19.1 nxënës për mësues. Diferenca është më e theksuar edhe në Korçë, ndonëse në nivele më të ulëta, 10.9 nxënës për mësues në shkollat private, kundrejt 11 në ato publike.

Por kjo situatë përmbyset në disa qarqe të tjera të vendit. Në Shkodër, shkollat private kanë 19.2 nxënës për mësues, ndërsa në shkollat publike raporti është vetëm 10.9. Kjo do të thotë se në arsimin fillor privat të këtij qarku, numri mesatar i nxënësve për mësues është rreth 8 më i lartë se në sistemin publik.

Edhe në Fier diferenca është e dukshme. Shkollat private kanë 20.9 nxënës për mësues, ndërsa ato publike 12.6. Kështu, ndryshe nga Tirana dhe Durrësi, në këto qarqe janë shkollat private ato që kanë një numër më të lartë nxënësish për çdo mësues.

Ndryshime më të moderuara mes dy sektorëve shfaqen në qarqet e Elbasanit, Vlorës dhe Lezhës. Të dhënat tregojnë se raporti nxënës-mësues nuk është i njëjtë në të gjithë vendin dhe se dallimet mes arsimit publik dhe privat varen ndjeshëm nga territori.

Raporti nxënës-mësues përdoret si një nga treguesit që ndihmon në vlerësimin e kushteve të mësimdhënies, pasi një numër më i ulët nxënësish për mësues mund të krijojë më shumë hapësirë për vëmendje individuale gjatë procesit mësimor.

raporti mesues nxenes.PNG

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat