Analiza Postuar më 29 September 2026, 10:46

Më shumë hua për shtëpi/ Individët vijojnë të shtyjnë rritjen, por bizneset tërhiqen nga kredia

Nga Xhorxhina Deda

Kredia.png

Pas disa muajsh me rritje të fortë, kredia e re dha sinjalin e parë të frenimit gjatë gushtit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bankat disbursuan 40.4 miliardë lekë kredi të reja, nga 40.7 miliardë lekë në gusht të vitit të kaluar, duke shënuar një rënie të lehtë prej rreth 0.8%.

Kjo është rënia e parë vjetore që prej janarit, pas gjashtë muajve radhazi, nga shkurti në korrik, me zgjerim të kreditimit. Megjithatë, niveli i gushtit mbetet ndër më të lartët e regjistruar për këtë muaj. Në shtatë muajt e parë të vitit, kredia e re ishte rritur me 12.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. 

Frenimi i totalit nuk është reflektuar te individët. Përkundrazi, kreditë e reja për individët arritën në 11.4 miliardë lekë, nga 8.8 miliardë lekë një vit më parë. Rritja vjetore ishte rreth 29.3%, duke treguar se kërkesa e familjeve për financim vijon të jetë e fortë.

Një pjesë e konsiderueshme e huamarrjes së individëve vazhdon të lidhet me blerjen e banesave. Gjatë gushtit, kreditë e reja për shtëpi arritën në rreth 5.36 miliardë lekë, nga 4.35 miliardë lekë në gusht 2025, ose 23.1% më shumë. Kreditë për banesa përbënin kështu afro 47% të të gjithë huasë së re të individëve gjatë muajit.

Pamja është e kundërt te bizneset. Korporatat private morën 28.15 miliardë lekë kredi të reja në gusht, nga 30.89 miliardë lekë një vit më parë. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 8.9% dhe shpjegon pjesën më të madhe të tkurrjes së kredisë së re totale. Rritja e huamarrjes së individëve ka kompensuar në një masë të madhe këtë rënie, por jo mjaftueshëm për ta mbajtur totalin në territor pozitiv.

Megjithatë, panorama e tetëmujorit mbetet pozitive. Në periudhën janar-gusht 2026 janë dhënë rreth 301.5 miliardë lekë kredi të reja, kundrejt 272.6 miliardë lekëve një vit më parë, ose rreth 10.6% më shumë. Pra, rënia e gushtit sinjalizon një frenim të ritmit, por jo ende një kthesë të përgjithshme të kreditimit.

Ndërkohë, portofoli total i kredisë vijoi të zgjerohet. Në fund të gushtit, stoku i huave në ekonomi arriti në 1.007 trilion lekë, nga 1.001 trilion lekë në korrik dhe 900.6 miliardë lekë në gusht të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 11.8% në bazë vjetore, duke treguar se, pavarësisht frenimit të kredive të reja gjatë muajit, vlera totale e financimit në ekonomi vazhdon të jetë në rritje. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat