Analiza Postuar më 22 October 2026, 10:27

Mishi i huaj mbush tryezat/ Importet prekën rekord të ri në shtator të këtij viti

Nga Xhorxhina Deda

Mishi i huaj mbush tryezat/ Importet prekën rekord të ri në

Shtatori solli një rekord të ri në importet e Shqipërisë për kafshë të gjalla dhe mish referuar të dhënave që nga janari i vitit 2005. Blerjet e dy kategorive arritën së bashku në rreth 1.73 miliardë lekë, niveli më i lartë mujor i regjistruar në seri, ndërsa në sasi u importuan rreth 8,650 ton, gjithashtu një rekord.

Vetëm gjatë shtatorit 2026, Shqipëria importoi rreth 5,300 ton mish dhe të brendshme të ngrënshme, me një faturë prej afro 947 milionë lekësh. Krahasuar me shtatorin e një viti më parë, sasia u rrit me rreth 74%, ndërsa vlera e importeve u zgjerua me 56%. Në rastin e mishit, 5,300 tonët e importuar përbëjnë sasinë më të lartë mujore të gjithë serisë së të dhënave. Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar që në gusht të vitit 2006, me rreth 5,230 ton.

Edhe fatura e mishit ishte shumë pranë rekordit historik. Vlera prej 946.6 milionë lekësh në shtator ishte vetëm rreth 3.2 milionë lekë më e ulët se rekordi prej 949.9 milionë lekësh i korrikut 2025.

Rritje e fortë është regjistruar edhe për kafshët e gjalla. Në shtator u importuan rreth 3,350 ton, me vlerë 783.7 milionë lekë duke vendosur gjithashtu një rekord absolut sasior dhe në vlerë për periudhën 2005-2026. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sasia ishte rreth 49% më e lartë, ndërsa fatura u rrit me afro 65%. Edhe për këtë kategori, shtatori shënon nivelin më të lartë të serisë si në peshë, ashtu edhe në vlerë.
Tendenca nuk kufizohet vetëm te një muaj. 

Në janar-shtator 2026, importet e mishit arritën rreth 37,700 ton, ose 12.9% më shumë se një vit më parë, ndërsa vlera u rrit me 17.5%, në afro 7 miliardë lekë. Për kafshët e gjalla, sasia u rrit me 22%, ndërsa fatura me 22.7%.

Rekordi i importeve vjen në një periudhë kur kërkesa për ushqime është rritur, e nxitur edhe nga turizmi dhe sektori i shërbimeve, ndërsa prodhimi vendas blegtoral nuk është zgjeruar me të njëjtin ritëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat