Shqipëria Postuar më 12 Mars 2026, 10:52

Kontrolle më të forta për paratë e dyshimta - Rregulla të reja për bankat, bizneset dhe transparencën e pronarëve të kompanive

Nga Ledina Elezi

Kontrolle më të forta për paratë e dyshimta - Rregulla

Përfshirja për herë të parë në ligj e financimit të armëve të shkatërrimit në masë, kontroll më i fortë mbi pronarët realë të kompanive dhe mbikëqyrje më e fokusuar për organizatat jofitimprurëse me rrezik të lartë janë disa nga ndryshimet që parashikohen në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Këto ndryshime vijnë përmes një projektligji që synon të përforcojë mekanizmat e kontrollit në sistemin financiar dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave.

Një nga risitë kryesore është futja në ligj e përkufizimit të “financimit të armëve të shkatërrimit në masë”. Ky term përfshin ofrimin e fondeve ose shërbimeve financiare që mund të përdoren për prodhimin, zhvillimin, transportin apo përdorimin e armëve kimike, biologjike, radiologjike ose bërthamore.

Projektligji parashikon gjithashtu rregulla më të qarta për rastet kur një person mban aksione në një kompani në emër të një personi tjetër. Ky ndryshim synon të shmangë përdorimin e ndërmjetësve për të fshehur pronarët e vërtetë të kompanive, një praktikë që shpesh përdoret për të maskuar origjinën e parave.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me raportimin e transaksioneve të dyshimta. Institucionet financiare dhe subjektet e tjera të ligjit do të duhet të raportojnë çdo rast kur dyshohet për pastrim parash, financim terrorizmi apo financim të armëve të shkatërrimit në masë, edhe kur shumat nuk kalojnë kufijtë e zakonshëm të raportimit.

Projektligji forcon edhe detyrimin që bankat dhe institucionet financiare të vlerësojnë rreziqet që lidhen me klientët, vendet, produktet financiare apo llojin e transaksioneve, duke kërkuar analiza më të detajuara dhe monitorim të vazhdueshëm.

Ndryshimet prekin edhe organizatat jofitimprurëse. Ligji parashikon që kontrollet të përqendrohen kryesisht tek ato organizata që konsiderohen me rrezik më të lartë për përdorim të mundshëm në financime të paligjshme.

Sipas relacionit shpjegues, këto ndryshime synojnë të rrisin transparencën në sistemin financiar, të forcojnë luftën kundër krimit financiar dhe të shmangin rreziqet që Shqipëria të përfshihet në lista ndërkombëtare të vendeve me mangësi në luftën kundër pastrimit të parave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat