Shqipëria Postuar më 12 Mars 2026, 10:48

Qeveria zgjeron skemën e financimit për organizatat rinore - Grantet shtetërore mund të përfitohen edhe nga grupet joformale

Nga Fabjona Pasho

Qeveria zgjeron skemën e financimit për organizatat rinore - Grantet

Individët të cilët përfitojnë nga grantet shtetërore për projektet rinore, tashmë do të kenë më shumë mundësi për financim.

Qeveria ka miratuar disa ndryshime në vendimin që përcakton kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së organizatave që përfitojnë fonde nga buhxeti I shtetit.

Përveç organizatave rinore dhe organizatave për të rinjtë, në skemën e financimit do të mund të aplikojnë edhe bashkitë dhe grupet joformale të të rinjve, duke zgjeruar kategorinë e përfituesve të fondeve publike.

Një nga risitë kryesore është përfshirja e grupeve joformale rinore, të cilat përkufizohen si organizime të përkohshme dhe vullnetare të të rinjve për realizimin e iniciativave me interes komunitar.

Për të përfituar mbështetje financiare, grupi duhet të përbëhet nga të paktën katër anëtarë të moshës 15 deri në 29 vjeç, të cilët angazhohen vullnetarisht për realizimin e një projekti të bazuar në nevojat e komunitetit.

Edhe pse nuk kanë personalitete juridike, këto grupe duhet të caktojnë një përfaqësues madhor, I cili mban përgjegjësi administrative dhe financiare për menaxhimin e fondeve dhe për marrëdhëniet me institucionet.

Projektet që aplikojnë duhet të jenë me interes publik dhe jofitimprurëse, të angazhohen për respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, barazisë gjinore, përfshirjes sociale dhe vlerave demokratike, ndërsa grupi  duhet të paraqesë një deklaratë të nënshkruar nga të gjithë anëtarët në përbërjen e tij, rolet dhe planin e veprimit të iniciativës.

Grupi dhe përfaqësuesi I tij duhet të angazhohen për raportim përshkrues e financiar, si dhe i nënshtrohen kontrollit dhe verifikimit nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe organet kompetente.

Fondet e përfituara do të shpërndahen në tre këste. 50 % pas nënshkrimit të kontratës së grantit, 40 % pas raportit të ndërmjetëm dhe 10 % pas raportit përfundimtar financiar dhe përshkrues.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu digjitalizimin e procesit të aplikimit, pasi aplikimet për grant do të kryhen elektronikisht përmes portalit qeveritar e-Albania, ku subjektet duhet të ngarkojnë dokumentacionin përkatës.

Për organizatat apo grupet që nuk shpallen fituese, parashikohet edhe e drejta e ankimit administrativ brenda 10 ditëve nga njoftimi i vendimit.

Ndryhsimet synojnë të rrisin aksesin e të rinjve në fondet publike dhe të mbështesin më shumë iniciativa komunitare që lidhen me zhvillimin dhe përfshirjen e tyre sociale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat