Analiza Postuar më 12 Mars 2026, 10:27

Shtohen të mirëpaguarit në tregun e punës/ Nga paga minimale, te ato të larta. Si ndryshoi shpërndarja brenda një viti

Nga Xhorxhina Deda

Shtohen të mirëpaguarit në tregun e punës/ Nga paga

Në tremujorin e fundit të vitit 2025 vërehet një lëvizje e lehtë e strukturës së pagave drejt niveleve më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Të dhënat tregojnë se një pjesë më e madhe e të punësuarve po kalon gradualisht në kategori pagash më të larta, ndërsa pesha e grupeve me paga më të ulëta ka rënë.

Në tremujorin e katërt të vitit 2024, rreth 14.2% e të punësuarve paguheshin deri në nivelin e pagës minimale. Një vit më vonë, në fund të vitit 2025, kjo përqindje zbret në 12.8%, duke treguar një tkurrje të lehtë të kësaj kategorie. Edhe grupi me paga 40 mijë deri në 50 mijë lekë shënon rënie, nga 22.5% në 21% të totalit të të punësuarve.

Në kategoritë e ndërmjetme ndryshimet janë më të vogla, por prirja mbetet në rritje. Pesha e të punësuarve me paga 50 mijë-60 mijë lekë rritet pak, nga 11.8% në 12.1%, ndërsa grupi 60 mijë-95 mijë lekë mbetet relativisht stabil, duke kaluar nga 24.6% në 24.8%.

Rritja më e dukshme shfaqet në kategoritë më të larta të pagave. Të punësuarit që marrin 95 mijë deri në 120 mijë lekë përbëjnë 13.2% në fund të vitit 2025, nga 12.8% një vit më parë. Ndërkohë, grupi me paga mbi 120 mijë lekë shënon zgjerimin më të madh, nga 14.1% në 16.2% të të punësuarve.

Në tërësi vihet re një zhvendosje graduale të strukturës së pagave drejt niveleve më të larta. Edhe pse ndryshimet nuk janë shumë të mëdha, trendi sinjalizon një rritje të numrit të punonjësve që paguhen më mirë, ndërsa pesha e pagave më të ulëta po zvogëlohet. Për publikun, kjo përkthehet në një treg pune ku, të paktën sipas shpërndarjes së pagave, po shihet një përmirësim i lehtë i të ardhurave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat