Shqipëria Postuar më 12 Mars 2026, 10:50

A do sjellë lufta forcimin e Euros? - Analiza/ Kursi i këmbimit dhe çmimet e naftës, goditje e dyfishtë në ekonomi

Nga Elisabeta Dosku

A do sjellë lufta forcimin e Euros? - Analiza/ Kursi i këmbimit dhe

Rritja e çmimit të naftës në Shqipëri së pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, pritet të sjellë pasoja në të gjithë zinxhirin e furnizimit.

Sipas një analize të ALTAX,  duke qenë se karburanti është input bazë për transportin e mallrave, mekanikën bujqësore, makineritë e ndërtimit dhe funksionimin e industrisë prodhuese, kostoja e transportit rritet ndjeshëm, duke u transmetuar te çmimet finale të ushqimeve, materialeve të ndërtimit, produkteve industriale dhe shërbimeve turistike.

Konkretisht, referuar analizës, në bujqësi, ku karburanti zë 20-30% të kostove operative, çmimet e produkteve ushqimore rriten duke shtuar inflacionin ushqimor që peshon rreth 35-40% në shportën e konsumatorit. Në ndërtim dhe turizëm, presioni mbi kostot operative ul marzhin e fitimit dhe ngadalëson aktivitetin.

Për qytetarët, kjo përkthehet në rritje të kostos së jetesës, me transport më të shtrenjtë dhe çmime më të larta për pothuajse çdo mall e shërbim, duke ulur fuqinë blerëse dhe duke ushtruar presion social.

Analiza nënvizon se ky efekt amplifikohet nga kursi i këmbimit euro-lek, që në mars 2026 lëviz rreth 96 lekë për euro, me tendencë të lehtë forcimi të euros në periudhën afatmesme 2026-2028 sipas parashikimeve makroekonomike. Shqipëria ka euroizim të lartë financiar dhe tregtar me mbi 55% të depozitave dhe rreth 45% të kredive në euro.

Një forcim i euros (ose dobësim i lekut) rrit menjëherë koston e importeve energjetike të paguara në valutë të huaj, edhe nëse çmimi ndërkombëtar i naftës stabilizohet pjesërisht.

Referuar analizës, kështu krijohet një goditje e dyfishtë, ku çmimi global i lartë i naftës nga lufta në Iran kombinohet me efektin e kursit të këmbimit, duke shtuar presion inflacionist të importuar dhe duke zgjeruar deficitin tregtar. Kostot e prodhimit dhe transportit rriten më tej, duke përkeqësuar inflacionin e kostos (cost-push inflation) që prek sektorët kyç si bujqësia, ndërtimi, industria dhe turizmi.

Por nga ana pozitive relative, forcimi i euros përmirëson konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare dhe rrit vlerën në lekë të remitancave e të ardhurave nga turizmi, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të PBB-së. Megjithatë, për një ekonomi që importon mbi 90% të energjisë dhe inputeve të ndërmjetme, efekti neto mbetet negativ: rritja e kostove të prodhimit tejkalon përfitimet nga eksportet dhe turizmi. Në sektorin financiar, barra e kredive në euro rritet për ata që gjenerojnë të ardhura në lekë, duke rrezikuar rritje të kredive me probleme nëse depreciimi vazhdon pa rritje proporcionale të pagave.

Kjo goditje e dyfishtë rrit inflacionin, kostot e prodhimit dhe pasigurinë, duke kërkuar politika të kujdesshme monetare e fiskale për të mbrojtur stabilitetin dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat