Shqipëria Postuar më 5 Gusht 2026, 14:18

Avioni i parë zjarrfikës nis punën për shuarjen e zjarreve/ Rama: Më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë

Nga Diamila Leka

Avioni i parë zjarrfikës nis punën për shuarjen e zjarreve/

Prej afro 48 orësh, flakët vijojnë të përpijnë sipërfaqe të mëdha me pyll me pisha në fshatin Ribaj të Mallakastrës. Zjarri, i cili ka nisur që në mëngjesin e ditës së djeshme, ka avancuar në drejtim të fshatit Lofkënd, duke përfshirë dhjetëra hektarë me pyje dhe bimësi.

Sot, në ndihmë të forcave zjarrfikëse ka mbërritur edhe një avion Air Tractor AT-802F Fire Boss, i cili po operon për herë të parë në zonën e Mallakastrës, duke ndërhyrë nga ajri në vatrat më problematike. Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga shuarja e zjarreve.

Në një postim në rrjetet sociale kryeministri shkruan: “Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë por edhe plotësisht të vetëdijshëm, për largqoftë rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht. Respekt dhe mirënjohje për të gjitha forcat tona në terren”.

Për monitorimin dhe piketimin e vatrave të zjarrit gjatë ditëve të fundit është përdorur masivisht edhe droni “Bayraktar”, i cili ka dhënë ndihmë të rëndësishme për gjurmimin e situatave që në momentet e para. Ndërkohë, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar edhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët vijojnë punën në terren për neutralizimin e vatrave aktive.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat