FunData Postuar më 18 September 2026, 14:07

Vitet e pritshme të pensionit/ Si renditet Shqipëria krahasuar me vendet e Europës?

Nga Xhorxhina Deda

Teacher Pension (1).jpg.webp

Të arrish moshën 65 vjeç në Shqipëri do të thotë, statistikisht, të kesh përpara edhe rreth 19 vite jetë. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se në vitin 2024 jetëgjatësia e pritshme e një personi 65-vjeçar në Shqipëri ishte 19.1 vite. Me fjalë të tjera, një person që ka arritur këtë moshë pritet të jetojë mesatarisht deri rreth 84 vjeç, nëse kushtet aktuale të vdekshmërisë mbeten të pandryshuara. 

Diferenca mes burrave dhe grave është e dukshme. Një burrë shqiptar 65-vjeçar pritet të jetojë edhe 18.3 vite, ndërsa një grua e së njëjtës moshë edhe 20 vite. 

Shqipëria mbetet poshtë mesatares së Bashkimit Europian. Në BE, jetëgjatësia e pritshme në moshën 65 vjeç arrin në 20.2 vite, pra 1.1 vite më shumë se në Shqipëri. Te burrat, megjithatë, diferenca është minimale, 18.3 vite në Shqipëri kundrejt 18.4 në BE. Hendeku është më i madh te gratë, ku Shqipëria regjistron 20 vite, ndërsa mesatarja europiane është 21.8 vite. 

Në Europë diferencat janë të konsiderueshme. Franca dhe Spanja kryesojnë me nga 21.9 vite jetë të pritshme pas moshës 65 vjeç, ndërsa Italia arrin në 21.4 vite, Greqia në 20.3 dhe Gjermania në 19.7 vite. Në fund të renditjes së BE-së është Bullgaria me 16.9 vite. 

Shqipëria paraqitet më mirë edhe se disa vende të rajonit të përfshira në tabelën e Eurostat, Mali i Zi me 17.1 vite dhe Serbia me 16.2 vite. Turqia regjistron 18.4 vite, gjithashtu më pak se Shqipëria. 

Të dhënat marrin rëndësi të veçantë në debatin për pensionet. Në Shqipëri, në vitin 2024, mosha e pensionit ishte 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç e 8 muaj për gratë. Kjo do të thotë se shifra 18.3 vite mund të lidhet drejtpërdrejt me periudhën e pritshme pas pensionimit për burrat, por 20 vitet e grave nuk janë vitet e tyre në pension, pasi ato dilnin në pension përpara moshës 65 vjeç. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat