Shqipëria Postuar më 18 September 2026, 14:19

Zhdoganimi i automjeteve - Doganat miratojnë manualin e ri, do të vlerësohet edhe kilometrazhi  

Nga SCAN TV

zhdoganim

Administrata Doganore ka miratuar një manual të ri për vlerësimin e automjeteve të prodhuara brenda 10 viteve të fundit. Doganat kanë njoftuar se ky manuali ka si qëllim kryesor përcaktimin sa më real dhe të drejtë të vlerës së automjeteve, vetëm në rastet kur nuk plotësohen kushtet për vlerësimin e tyre sipas metodës së transaksionit, sic parashikon Kodi Doganor.  

Vetëm në këto raste, për përcaktimin e vlerës së automjetit Administrata Doganore do t’u referohet çmimeve reale të publikuara online në burime dhe buletine të specializuara, adresat e të cilave janë të përcaktuara në manual. 

Një nga risitë e manualit është se, krahas të dhënave teknike të marra në konsideratë deri më tani, përfshihet edhe numri i kilometrave të përshkuara nga automjeti deri në momentin e zhdoganimit. Ky element përbën një të dhënë të rëndësishme, e cila ndikon drejtpërdrejt në vlerën reale të mjetit. 

Të dhënat e marra nga këto burime përdoren për të mbështetur analizën dhe dokumentimin e rastit vetëm kur nuk mund të zbatohen metodat e tjera të vlerësimit, sipas rendit të përcaktuar 1–5. 

Manuali i ri nuk sjell asnjë ndryshim në mënyrën e vlerësimit të automjeteve më të vjetra, të prodhuara më shumë se 10 vjet përpara vitit aktual. 

Doganat njoftojnë se hyrja në fuqi e këtij manuali nuk ka si qëllim rritjen e të ardhurave nga zhdoganimi i automjeteve, por përcaktimin e vlerës së tyre në mënyrë sa më të drejtë e reale. Manualit të ri mundëson një shpërndarje më të drejtë të detyrimeve për të njëjtën kategori automjetesh, me të njëjtën markë, vit prodhimi, cilindratë dhe lloj karburanti, duke marrë në konsideratë edhe diferencat në kilometrat e përshkuara. 

Në këtë mënyrë, synohet që vlerësimi doganor të reflektojë sa më saktë karakteristikat dhe gjendjen konkrete të automjetit në zhdoganim. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat