Bota Postuar më 28 September 2026, 12:24

Vidhen 332 milionë euro - Sulmi më i madh kibernetik i vitit trondit tregun global të kriptomonedhave

Nga Edel Strazimiri

Capture.JPG

Një nga grabitjet më të mëdha të kriptomonedhave të regjistruara këtë vit ka tronditur tregun global. Rreth 387.5 milionë dollarë, ose 332.8 milionë euro, janë vjedhur nga platforma e kriptomonedhave Bitget, ndërsa dyshimet kryesore janë drejtuar nga autoritetet dhe ekspertët e sigurisë kibernetike te hakerët e lidhur me Korenë e Veriut.

Sulmi u zbulua pasi u konstatuan transferta të paautorizuara nga disa prej kuletave të platformës. Kompania tha se kuletat e saj më të izoluara, të njohura si “cold wallets”, nuk u prekën.

Sipas drejtueses së Bitget, Gracy Chen, gjurmët teknike të sulmit, përfshirë adresat IP dhe përdorimin e VPN-ve, përputhen me mënyrat e përdorura nga një grup hakerësh të lidhur me Korenë e Veriut. Kompania e konsideron lidhjen me Phenianin “shumë të mundshme”.

Hakerët nuk arritën të merrnin çelësat privatë të kuletave. Në vend të kësaj, ata depërtuan në një sistem të brendshëm dhe futën të dhëna të rreme në transaksione, duke bërë që transfertat mashtruese të dukeshin si operacione të ligjshme për sistemin e miratimit.

Bitget ka deklaruar se fondi i mbrojtjes së përdoruesve, me më shumë se 464 milionë dollarë, është i mjaftueshëm për të mbuluar humbjen. Bilancet e klientëve, sipas kompanisë, mbeten të sakta dhe aktiviteti i depozitave dhe tregtimit ka vijuar.

Tërheqjet u pezulluan përkohësisht si masë sigurie, ndërsa kompania po punon me autoritetet dhe firmat e specializuara për të gjurmuar fondet e vjedhura. Rikthimi i tërheqjeve është planifikuar të bëhet gradualisht.

Sipas kompanisë së inteligjencës blockchain TRM Labs, ky është grabitja më e madhe e kriptomonedhave e raportuar deri tani gjatë vitit 2026.

Por shifra bëhet edhe më tronditëse kur vendoset në kontekstin e sulmeve të mëparshme. TRM Labs vlerëson se grupet e lidhura me Korenë e Veriut kishin shkaktuar 76% të vlerës së kriptomonedhave të vjedhura në sulmet globale deri në prill, përpara incidentit të Bitget.

Në shkurt 2025, hakerë të lidhur me Korenë e Veriut grabitën rreth 1.5 miliardë dollarë nga platforma Bybit, sipas FBI-së amerikane.

Thesari amerikan ka deklaruar më herët se fondet e siguruara përmes këtyre sulmeve kibernetike përdoren për të mbështetur programet e Koresë së Veriut për armët bërthamore dhe raketat balistike.

Ndërsa Pheniani është një nga vendet me qasjen më të kufizuar në internet për qytetarët e zakonshëm, kapacitetet e tij kibernetike janë shndërruar në një burim të rëndësishëm financiar për regjimin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat