Shqipëria Postuar më 28 September 2026, 12:51

“Institucionet nuk konkurrojnë!” - Duhet t’i shërbejnë të njëjtit interes. Mblidhet Këshilli i Sigurimit Kombëtar 

Nga Fabjona Pasho

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e aktualitetit dhe ndikimi i tyre në veprimtarinë e institucioneve të sigurisë.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të përcaktuar me ligj, ishin të ftuar edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas përfundimeve të bëra publike pas takimit, Presidenti dhe anëtarët e Këshillit kanë theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimit me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe rritjes së besimit të qytetarëve tek institucionet.

“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përfundimet e mbledhjes.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me proceset hetimore të drejtësisë. Këshilli ka nënvizuar se hetimet duhet të zhvillohen tërësisht në mënyrë të pavarur dhe se rezultatet e proceseve individuale nuk duhet të shndërrohen në një krizë besimi ndaj shtetit dhe institucioneve të sigurisë.

Në deklaratë theksohet gjithashtu nevoja për forcimin e standardeve, kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies, me qëllim që institucionet t’u dëshmojnë qytetarëve se sistemi është në gjendje të korrigjojë vetveten dhe të mbrojë interesin publik.

“Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Ai është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe mbështet Presidentin në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore”, sqarohet në njoftimin për mbledhjen.

Takimet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar zhvillohen të mbyllura, ndërsa në këtë mbledhje është vënë theksi te bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe koordinimi me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe besimit të publikut.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat