Shqipëria Postuar më 28 September 2026, 12:53

Zgjerohet sektori jobankar - BSH: Fondet e investimit dhe pensionet private japin kontributin kryesor në rritje

Nga Ledina Elezi

Jo vetëm bankat kanë zgjeruar aktivitetin financiar në vend gjatë gjysmës së parë të vitit, por edhe sektori jobankar ka pësuar rritje, me fondet e investimit dhe të pensionit që kanë dhënë kontributin kryesor.

Në këtë sektor përfshihen institucione që qytetarët dhe bizneset i përdorin për shërbime të ndryshme financiare, nga kreditë dhe pagesat elektronike, te sigurimet, investimet dhe kursimet për pension.

Sipas të dhënave nga Raporti i Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, sektori jobankar përbën rreth 10% të aktiveve të sistemit financiar shqiptar, ndërsa pesha e tij në ekonomi është rreth 9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti lidhet me fondet e investimit dhe fondet private të pensionit, të cilat kanë zgjeruar veprimtarinë gjatë periudhës.

Fondet e investimit mbledhin paratë e qytetarëve dhe investojnë një pjesë të tyre në instrumente të ndryshme financiare. Në këtë mënyrë, qytetari mund të investojë kursimet e tij përmes një fondi, në vend që t’i mbajë ato vetëm në llogari bankare.

Ndërsa fondet private të pensionit lidhen me kursimet afatgjata. Qytetarët derdhin kontribute gjatë viteve të punës, me synimin që të krijojnë një burim shtesë të ardhurash për periudhën kur dalin në pension.

Zgjerimi i këtyre fondeve tregon se një pjesë e qytetarëve po përdor gjithnjë e më shumë edhe forma të tjera për të kursyer dhe investuar paratë, përtej depozitave bankare. Rritja e aktivitetit të fondeve të investimit dhe pensionit është mbështetur edhe nga investimet në letra me vlerë të borxhit të qeverisë, të cilat janë ndër instrumentet ku këto fonde vendosin një pjesë të parave të administruara.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e sektorit jobankar janë institucionet që japin kredi. Ato financojnë si individët, ashtu edhe bizneset, ndërsa aktiviteti i tyre është përqendruar veçanërisht te tregtia, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.

Gjatë periudhës, aktivet e këtyre institucioneve u rritën me rreth 1.3 miliardë lekë, duke arritur në rreth 67 miliardë lekë.

Ndërkohë, shoqëritë e kursim-kreditit kanë vijuar të zgjerojnë aktivitetin, kryesisht përmes financimit të anëtarëve. Bujqësia është sektori që ka marrë pjesën më të madhe të këtij financimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat